KE: Keqardhje për dështimin

17/06/2010 19:55

Komisioni Europian shpreh keqardhjen që iniciativa e Daul dhe Schultz dështoi pa dhënë rezultate.

Angela Filote, zëdhënësë e komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle, ka deklaruar se tani gjithcka mbetet në duart e politikanëve shqiptarë, konkretisht kryeministrit Berisha dhe kreut të PS, Rama.

“Të gjithë ne dëshironim shumë dhe e mbështetëm iniciativën dhe na vjen shumë keq që të gjitha përpjekjet e bëra për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes nuk sollën në të vërtetë këtë zgjidhje. Tani topi kthehet plotesisht në duart e Shqipërisë dhe sidomos të dy liderëve, te qeverisë dhe opozitës, për të cilët është shumë e rëndësishme që të punojnë bashkë, madje më shumë se deri tani, që të gjejnë një zgjidhje”, ka deklaruar Filote.

Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje mes palëve do të ishte në të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre evropiane dhe jo në të mirë të BE-së.

“Dhe dua të bëj të qarte dicka, kjo zgjidhje nuk duhet për të mirën e BE-së, por nevojitet për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë, të cilët kanë këtë aspiratën për të qenë një ditë qytetarë europianë, por që të ndodhë kjo në duam të shohim në Shqipëri një demokraci të pjekur”, ka pohuar Filote.

Zëdhënësja u shpreh disa herë gjatë intervistës se kompromisi duhet gjetur në Tiranë, në mënyrë që të vijojë procesi integrues i vendit, duke sqaruar se për BE-në nuk ka rëndësi kush është pala fajtore.

“Ne nuk jemi këtu për të fajësuar njërin apo tjetrin, por për të thënë që atje ka një problem e ka dy lojtarë kyc që mund ta zgjidhin këtë problem. Ndaj, i bëjmë thirrje këtyre dy lojtarëve që ta zgjidhin atë. Ky është qëndrimi nga ana e BE-së, sepse kjo situatë nuk mbështet aspak aspiratën e Shqipërisë për të qenë vend anëtar një ditë”, ka theksuar Filote.

“Cështja është në proces shqyrtimi, ku po shohim sesi Shqipëria i plotëson kushtet e ndryshme për të qenë kandidatë, ku kriteri më i rëndësishëm është ai politik. Sigurisht që kur shohim kriterin politik, vërejmë situatën politike në vend, ndaj nevojitet dicka pozitive mbi situatën politike për ta raportuar”, ka shtuar ajo. Opinioni për Shqipërinë pritet të publikohet në nëntor të këtij viti.

Top Channel