
Uruguaj pas barazimit ndaj Francës, ka hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit për në fazën e mëtejshme të Botërorit, Afrika e Jugut 2010.
Uruguajanët shkatërruan 3-0 në stadiumin Tshuana të Pretorias Afrikën e Jugut. Heroi i takimit ishte sulmuesi Diego Forlan që shënoi edhe dy herë në portën kundërshtare. Goli i parë mbërriti në minutën e 24 të takimit. Forlan godet nga distanca dhe falë devijimit të njërit prej mbrojtësve afrikanë dhe trajektoreve të çuditshme të “Jabulanit”, Uruguaj përfundon pjesën e parë në avantazhin e një goli.
Në pjesën e dytë vendasit afrikanë përpiqen të reagojnë, por përpjekjet e tyre janë të pafuqishme në fazën ofensive. Për të ardhur më pas në minutën e 80 të takimit kur një karton i kuq për portierin afrikan, Khune dhe një 11 metërsh i dyshimtë i dhënë nga gjyqtari Masimo Busaka, që transformohet në gol nga Forlan, shemb shpresat e afrikanëve për një rezultat pozitiv në këtë takim. Goli i tretë i takimit u shënua në minutën e 3-të shtesë nga Pereira.
Pas këtij takimi Uruguaj udhëheq Grupin A me 4 pikë, të ndjekur nga Franca, Meksika dhe Afrika e Jugut me nga 1 pikë. Urugajanët presin të qetë tashmë zhvillimin e ndeshjes tjetër të këtij grupi, atë mes Francës dhe Meksikës, ndeshje kjo që do të zhvillohet të enjten në orën 20:30.
Të enjten luhen gjithashtu edhe takimet e dyta të Grupit B, ku Greqia do të përballet me Nigerinë dhe Argjentina me Korenë e Jugut.
Top Channel