
Në gjurmët e ekspozitës së dikurshme, një grup piktorësh dhe skulptorësh e kanë rilindur.
“PranverArt 2010” titullohet ekspozita e hapur këto ditë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Artistët iniciatorë e quajnë gati një rilindje të ekspozitës së Pranverës, e mbajtur në vitin 1972, e cila u mbyll nga regjimi i asaj kohe. Artistët e asaj kohe, ndryshe nga më parë, nuk iu përmbajtën domosdo një tematike të caktuar dhe disa prej tyre edhe u dënuan.
“PranverArt 2010” ka bashkuar 70 piktorë dhe skulptorë nga Durrësi, Pogradeci e kryesisht nga Tirana. Në muret e MHK-së qëndrojnë 130 vepra në pikturë dhe skulpturë, punime të disa viteve. Kjo ekspozitë nuk ka pasur një tematikë të përcaktuar, ndaj temat janë nga më të ndryshmet. “Kjo ekspozitë është rilindje e edicionit të dikurshëm, e Ekspozitës së Pranverës të hapur në ‘72-shin. Ka kaluar shumë kohë që atëherë dhe një grup nismëtarësh vendosi ta rilindë, duke e quajtur ‘PranverArt 2010’. Do të përpiqemi ta kthejmë në një aktivitet të përvitshëm”, shprehet skulptori Maksim Bushi.
E në fakt mes punëve sheh jo vetëm subjekte të zgjedhura sipas vullnetit të krijuesve, por edhe një takim brezash e po ashtu teknikash. Sheh piktura realiste, peizazhe, portrete, nudo, abstraksione, por sheh edhe çiftin presidencial amerikan, Mishelën dhe Obamën. Adnan Veseli, Adrian Devolli, Agim Faja, Agim Kadillari, Ardian Blido, Bujar Zajmi, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Lekë Tasi, Muntaz Dhrami, Mustafa Arapi, Mina Zaka, Vilson Kilica etj., janë vetëm disa nga emrat që ekspozojnë, disa prej tyre dëshmitarë të ekspozitës së ‘72-shit, apo edhe artistë që një vit më vonë provuan të ekspozonin sërish, por veprat e tyre nuk u pranuan. “PranverArt 2010” do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar deri më 21 qershor.
Top Channel