Një ditë pasi u lirua por si fajtor, Albin Kurti e rrëfen gjyqin si një farsë.

Ai e quan të pashembullt dhunën që u ushtrua mbi atë gjatë arrestimit duke akuzuar se për ta arrestuar u dërguan forca speciale për të mos e kursyer dhunën. Drejtuesi i lëvizjes Vetvendosje flet për të ardhmen politike.

“Verdikti i djeshëm ishte i padrejtë”, thotë fillimisht Kurti në lidhje me vendimin e gjykatës në dëm të tij. Më tej ai rrëfen momentet e dhunës: “Ne po kremtonim 5 vjetorin e lëvizjs tonë dhe prita që të më arrestonin kur të dilja nga zyra. E dija se gjasat që të shpëtoja kësaj radhe ishin të vogla. Këtu bëhej fjalë për policë të përzgjedhur sepse e kanë ditur se nuk do hezitonin me dhunën kundër nesh. Unë jam rrahur në selinë e Vetvendosjes ku kanë hyrë në zyrë 7-8 policë që më goditën me shkelma dhe më kapën për koke duke më shtyrë nga dritarja”.

Në vijim të intervistës për Top Channel, Kurti shtoi se nuk është ende i sigurt për impaktin që do ketë ky moment në cështjen e ligjit të zgjedhjeve. “Unë nuk e kam parë ende ligjin e zgjedhjeve por do shikojme të gjitha modalitetet e mundshme ta kalojmë këtë pengesë”, theksoi Kurti.

Kreu i Vetvendosje ka theksuar gjithashtu se mjeteve për luftimin e planit Ahtisari do t’i bashkangjiten edhe mjetet institucionale. “Plani Ahtisari po bëhët përherë e më i keq. Duam t’i ndryshojmë karakterin shtetit. Duhet të negociojmë me Shqipërinë për t’iu bashkuar asaj dhe jo me Serbinë për të ndarë shtetin”, përfundoi Kurti.

Top Channel