
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përqendruar hetimet për zhdukjen e Bleonës 6-vjeçare te të afërmit e vogëlushes, pikërisht te personat që e panë për herë të fundit.
Halla dhe një fqinjë e familjes Mata në fshatin Zapod të Kukësit janë shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku janë marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes për shumë orë dhe më pas janë lënë të lira. Megjithatë, hetuesit e Krimeve të Rënda kanë ngritur pistat e para, ku më e mundshmja është zhdukja e vogëlushes nga personat që e panë për herë të fundit.
Burime nga prokuroria deklarojnë se kanë dyshime se halla dhe fqinja e familjes Mata kanë pasur lidhje intime me një djalë, i cili është parë në fshat disa orë para se vogëlushja të zhdukej. Dyshimet vijojnë se Bleona mund të ketë parë një lidhje të hallës dhe fqinjës me këtë djalë dhe në këtë moment për ta frikësuar, ato mund ta kenë trembur për të mos treguar. Megjithatë, çdo gjë është hipotezë deri në momentin e rrëfimit të ngjarjes nga personat që e kanë parë të fundit.
Hetuesit dyshojnë se djali i cili është parë në fshat, mund të dijë detaje nga zhdukja e vogëlushes, ndërsa nuk përjashtohet që ai mund të jetë autori i zhdukjes. Prokuroria dyshon se Alketa Mata, 23 vjeçe, dhe fqinja e familjes, Gentiana Manga, po 23 vjeçe, mund të fshehin të vërtetën e zhdukjes së Bleonës, ndërsa mësohet se ato do të hetohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Pasi kanë kaluar 23 ditë nga zhdukja, prokurorët kanë nisur dhe nga këmbëngulja e prindërve të Bleonës, kanë përqendruar hetimin te grupi i të rejave që ndodheshin në kullotë me Bleonën, ditën e 22 majit. Dy ditë më parë, vajzat janë thirrur për t’u marrë në pyetje. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohojnë se ato janë të vetmet, të cilat duhet të dinë dhe të japin shpjegime për zhdukjen misterioze të Bleonës.
Halla e vajzës ka pasur luhatje në dëshminë e dhënë në polici pas zhdukjes së Bleonës dhe asaj që u ka treguar prindërve të saj. Ky fakt ka bërë që të thellohen dyshimet për pozicionin e Alketës dhe Gentianës në këtë çështje. Hetuesit dyshojnë se dy 23-vjeçaret fshehin ndonjë histori, për të cilën Bleona e vogël ka qenë dëshmitare dhe persona të tjerë mund ta kenë rrëmbyer për qëllime presioni apo për të mos nxjerrë në shesh të vërtetën. Alketa Mata jeton në të njëjtën shtëpi me familjen e vëllait të saj, njëkohësisht babai i Bleonës në Zapod.
Ndërsa vajza tjetër është fqinje e tyre në të njëjtin fshat. Në momentin e zhdukjes së Bleonës, siç ka treguar e ëma e 6-vjeçares, Alketa e ka telefonuar, duke i thënë se ishte larguar për të mbledhur bagëtitë, por kur është kthyer nuk e ka gjetur mbesën e saj. Ajo ka pohuar se ka gjetur vetëm xhupin e Bleonës dhe pak më larg të vetin, me të cilin ishte mbështjellë e mbesa, shenjë kjo që vajza ka lëvizur ose është lëvizur nga vendi ku është lënë. Mbetet mister fakti, pse grupi i vajzave ka lëvizur për te bagëtitë në të njëjtën kohë, duke e lënë të vetme Bleonën, vetëm 6 vjeçe.
Top Channel