Kukës, plagosen me dinamit dy minatorë

14/06/2010 08:30

Shfrytëzimi amator i minierave të braktisura të kromit shënon viktimat e radhës.

Dy kushërinj të parë, djem xhaxhallarësh, janë aksidentuar mbrëmjen vonë të së shtunës, ndërsa nxirrnin krom në galerinë e minierës së Kalimashit.

Altin dhe Sami Lugja, përkatësisht 24 dhe 21 vjeç, janë aksidentuar nga shpërthimi para kohe i një mine, që ata e kishin përgatitur për të shembur masivin e mineralit. Të dy minatorët amatorë, kanë kryer mbushjen e minës në frontin e njërës prej galerive në sektorin nr.2 të Kalimashit, disa qindra metra në thellësi të tokës, por ajo ka shpërthyer para se ata të largoheshin.

Disa punëtorë që kanë qenë duke punuar në afërsi, kanë bërë nxjerrjen nga galeria e të të lënduarve dhe dërgimin e tyre drejt spitalit të Kukësit. Mjekët thanë se dy të rinjtë e plagosur janë në gjendje të rëndë për shkak të plagëve që kanë marrë, por më kritike paraqitet gjendja shëndetësore e 21-vjeçarit Sami Lugja, i cili ka pësuar dëmtime në kokë dhe ndodhet në repartin e reanimacionit në spitalin e Kukësit.

Ndërsa tjetri ka marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit, por gjendja e tij është disi më e stabilizuar. Fillimisht të afërmit e dy minatorëve u përpoqën të përhapnin variantin se të rinjtë ishin plagosur nga një aksident me traktor dhe jo në minierë. “Patën frikë nga fakti se përdorimi i dinamitit është i palejueshëm dhe gjithë shfrytëzimi i kromit bëhet në mënyrë amatore”, tha një i afërt i familjes Lugja. Por pas pyetjeve të policisë, 24-vjeçari i plagosur ka dëshmuar mbi atë se çfarë ka ndodhur.

“Ne kishim bërë mbushjen, por dinamiti na plasi thuajse në duar pa na dhënë kohë të largohemi”, ka thënë ai për uniformat blu. Kohët e fundit, miniera e Kalimashit po bëhet burim aksidentesh. Disa javë më parë, Ramazan Lugja, 50 vjeç, nga Kalimashi, u aksidentua teksa nxirrte mineral në një nga galeritë e minierës. Masivi i mineralit e ka zënë poshtë, ndërsa disa shokë e kanë transportuar menjëherë për në spital. Dy muaj më parë, në një tjetër aksident në kërkim të mineralit të kromit, humbi jetën një 55-vjeçar nga fshati Golaj, i Rrethit të Hasit.

Top Channel