Kampionët e nisin me barazim

14/06/2010 22:35

Italia nuk e ka nisur mirë botërorin e saj. Kampionët në fuqi kanë barazuar 1-1 me Paraguajin në ndeshjen e parë të Grupit F.

Ndeshja u nis vrullshëm prej axurrëve të cilët ndryshe nga herët e tjera kanë luajtur në sulm. Megjithë përpjekjet e djemve të Lipit goli i parë gjehet nga modestët paraguajanë. Një faull i dyshimtë i Kielinit në dëm të paraguajanit Nelson Valdez sjell goditjen e dënimit të dhënë nga gjyqtari meksikan, Tellez. Një kros i futur në zonë në mënyrë perfekte prej Aureliano Torres gjen kokën e Alkaraz dhe topi përfundon në pjesën e majtë të portës së mbrojtur nga Bufon. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për amerikano-latinët.

Pjesa e dytë nis me probleme për Lipin, pasi tekniku axurr detyrohet të hedhë në fushë portierin Marketi që zëvëndëson Bufon. Portieri juventin la portën për shkak të problemeve muskulare. Pas një lojë jo fort të qartë nga të dyja skuadrat një goditje këndi në minutën e 63 e ekzekutuar nga Simone Pepe gjen këmbët e mesfushorit De Rosi, i cili në një distancë mjaft të afërt me portën kundërshtare nuk e ka të vështirë të shënojë. Italia barazon 1-1.

Në minutat në vazhdim megjithë hedhjen në fushë të Di Natales në vend të Xhilardinos, kampionët nuk arritën të gjejnë golin e avantazhit. Fërshëllima e fundit ë gjyqtarit meksikan ndan me nga një pikë Italinë dhe Paraguajin.

Të martën luhet edhe ndeshja e dytë e Grupit F, ajo mes Sllovakisë dhe Zelandës së Re në orën 13:30, për t’u pasuar nga ndeshjet e Grupit G, Bregu i Fildishtë-Portugali në orën 16:00 dhe Brazil-Korea e Veriut në orën 20:30.

Top Channel