Kryetari i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar krijimin e një tryeze politike kombëtare për të diskutuar e marrë vendime për çështjet më akute dhe strategjike që kanë të bëjnë me Kosovën.

Duke folur në një intervistë për BBC, Haradinaj ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie teknike në Kosovë, apo të ndërhyrjes në qeverisjen aktuale, por ka vlerësuar se tryeza kombëtare do ta ndihmonte Kosovën që të trajtohen të gjitha temat aktuale.

“Ne mendojmë krijimin e një tryeze nacionale e cila do të sillte rreth vetes përfaqësuesit e institucioneve, të partive opozitare, shoqërisë civile, por edhe aktorë ndërkombëtarë, ku do të trajtoheshin temat kryesore dhe ku të merreshin vendime për cështjet me rëndësi apo strategjike”, ka pohuar Haradinaj.

Ai ka shtuar se disa prej këtyre cështjeve janë lufta kundër korrupsionit, aftësimi i mëtejshëm i Kosovës për zbatimin e juridiksionit të saj në veri, bisedimet e mundshme me Serbinë, etj.

Top Channel