Zbulohet “Rosandra” e mbytur

13/06/2010 21:45

Në thellësitë e ujrave shumë pranë Gadishullit të Karaburunit është zbuluar një anije e mbytur, që mendohet se është ndërtuar gjatë periudhës mes dy luftrave boterore.

Lajmin e bën të ditur ekspedita shqiptaro-amerikane e kërkimeve nënujore, e cila ka bërë edhe zbulimin.

Anija, që gjendet në një thellësi prej mëse 80 metrash, është e gjatë rreth 140-150 metra dhe është me e madhja e zbuluar deri tani nga kjo ekspeditë.

Sipas të dhënave teknike dhe vendit ku u gjet, ekspertët mendojnë se anija ka shumë gjasa që të jetë një prej anijeve transportuese të marinës italiane, e cila u godit nga nëndetëset angleze në 14 Qershor të 1943-shit.

Nëse studimet e mëtejshme do të përputhen me ato teknike që ekspertët zotërojnë deri më tani, atëherë do të mund të thuhet me saktësi se anija e gjetur është “Rosandra”, e mbytur në ujrat shqiptare 67 vite me parë, gjatë një transporti mallrash për ushtrinë italiane, me destinacion Portin grek të Patras.

Por nëse konfirmohet të jetë pikërisht kjo anije, zbulimi  i saj do të ishte edhe një koinçidencë interesante për faktin, që u gjet vetëm pak ditë përpara përvjetorit të datës së mbytjes.

Drejtuesit e ekspeditës shqiptaro-amerikane, dr. Jef Royal dhe dr. Adrian Anastasi, janë shprehur se zbulimi i fundit është një dëshmi më shumë që konfirmon vlerat e medha që gjenden ende të pazbuluara në thellësitë shqiptare.

Kjo ekspeditë po ekspoloron ujrat vendase prej tashmë katër vitesh dhe do të vazhdojë skanimin e fundit të detit edhe për dy muaj të tjerë, me qëllimin për të realizuar hartat nënujore.

Sipas koordinatorit të ekspeditës shqiptaro –amerikane, Auron Tare, finalizimi i projektit ka për synim krijimin e Muzeut të Arkeologjisë Nënujore, mundësisht në Porto Palermo, me qëllim ruajtjet e pasurive nënujore, por edhe ekspozimin e tyre, çka do të sillte edhe rritjen e interesit për turizmin kulturor.

Top Channel