Kriza, akuza dhe polemika

13/06/2010 17:35

Demokratët përmes deputetes Lajla Përnaska kanë akuzuar Partinë Socialiste se po sulmon OSBE–në dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare në tentativë për të penguar liberalizimin e vizave dhe afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Ne edhe njëherë shprehim mbështetjen tonë të plotë për të gjitha dokumentat e Asamblesë Parlamentare të Komitetit Presidencial për deklaratën e Byrosë Parlamentare të Këshillit të Europës, institucion kyç që ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Shqipërinë dhe nuk pranon që askush të dalë mbi ligjin dhe shtetin ligjor siç kërkon në vazhdimësi të bëjë Edi Rama. Edhe në këtë akt të fundit, siç po veprojnë çdo ditë, Rama me bllokmenët e rinj kërkojnë bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë” deklaroi deputetja demokrate, Lajla Përnaska.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i socialisteve, të cilët i quajtën deklaratat e demokratëve, tregues të panikut që ka kapur kryeministrin për shkak të hetimit që do t’i kryhet zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Ka kohë që Sali Berisha e ka humbur qetësine dhe dëgjojmë çdo ditë nga goja e tij, apo tellalëve të tij, fjalë dhe akuza të pavërteta. Deri diku është e kuptueshme pasi njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Por të vjen keq që Sali Berisha dëshpërohet ngaqë e vërteta po del çdo ditë në shesh, se transparenca po fiton ndaj kutive të mbyllura të 28 qershorit, se të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë rreshtuar në mbështetje të hetimit të zgjedhjeve. Në këto momente Sali Berisha bën mirë të ruajë qetësinë, të hapë kutitë dhe të bëjë edhe transparencën e ekonomisë të cilën ky njeri po e shkatërron çdo ditë” replikoi zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj.

Ndërkaq, kriza mbetet ende e pazgjidhur edhe pas kërkesave gati ultimative të ardhura nga Brukseli e Strasburgu që kërkojnë arritjen e një kompromisi mes palëve, mundësisht brenda javës që vjen.

Top Channel