KESH, në korrik tenderi për 27 mijë tonë naftë

13/06/2010 08:10

Muaji korrik do të jetë tepër i nxehtë për tregtarët e karburanteve, pasi në këtë periudhë përgatitet të hidhet një ofertë e vetme me vlerë 40 milionë dollarë.

Bëhet fjalë për tenderin e TEC-it të Vlorës, që kërkon naftë, tip gazoil 0.1 (disi më e pastër se nafta D2), për prodhimin energjisë elektrike. Referuar vlerës në tender dhe llojit të karburantit, vlerësohet për të paktën 30 milionë litra naftë, apo të paktën 27 mijë tonë.

Ky është tenderi më i madh i zhvilluar ndonjëherë, sa i takon vlerës, por i dyti për TEC-in e Vlorës, që edhe pse nuk ka prodhuar asnjë kilovat, ka shpenzuar disa milionë lekë nga buxheti. Sasia që do t’i ofrohet termocentralit shërben për një vit të plotë (12 muaj).

Duke parë analizën e shpenzimeve, nevojiten të tjera litra karburant, pasi KESH-i pretendon se futja në punë e TEC-it kërkon të paktën 75 mijë tonë naftë në vit, ndërsa për vitin 2010 parashikojnë një shpenzim rreth 90 milionë dollarë, gjithnjë me kursin (kur është bërë analiza) 97 lekë-1 US. Tenderi vjen në një kohë kur dollari ka pësuar rritje me gati 17 për qind dhe me tendencë rritje deri në korrik, duke rrezikuar kosto të lartë për KESH-in.

“Duke pasur parasysh kontratën e shitblerjes se energjisë që do të lidhet midis shoqërisë TEC Vlorë sh.a. dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare është parashikuar mbajtja e një sasie lëndë djegëse rezervë. Kjo rezervë do të ndihmojë në sigurinë dhe stabilitetin e lidhjes midis centralit dhe sistemit energjetik shqiptar.

Sipas praktikave, në këto lloj TEC-esh dhe kapacitetit të tankerave të naftës që kemi aktualisht mendohet të mbahet një rezervë prej 1500 tonësh”, thuhet në shkresën që drejtuesit e TEC-it i dërgojnë ERE-s. Sipas studimit, rezerva realizon një punë pa ndërprerje prej 4 ditësh. Në bazë të të dhënave teknike, termocentrali i Vlorës do të ketë një prodhim nominal 97.167 megavat, (ky prodhim do të jetë në dalje të transformatorit) dhe një konsum specifik nxehtësie 7490 kJ/kg, si dhe përdorim vetjak 3 për qind.

Nafta zë gati 80 për qind të shpenzimeve të TEC-it, ndërsa pjesa e mbajtur i takon stafit dhe pajisjeve të punës. Buxheti i drejtorisë që menaxhon termocentralin varion nga 78 milionë lekë deri në 133 milionë lekë në vit, ndërsa paga mesatare shkon në 60 mijë lekë (bruto).

Top Channel