
Në komunikatën zyrtare të shpërndarë tri ditë më parë, OST njoftonte nisjen e kufizimeve për shkak të disa punimeve në linjat e transmetimit, duke filluar nga data 11 qershor, deri më 20, pra 9 ditë.
Në fakt, kufizimet filluan më herët, të paktën për Tiranën, dy-tri orë në ditë, në mënyrë të paparalajmëruar, si për datën, orën dhe zonën.
Për këtë problem, OSSH bën përgjegjëse Operatorin e Transmetimit, për punimet në disa linja, duke iu shmangur përgjegjësisë, kurse OST sqaron se kufizimi i dritave duhet të nisë më 11 qershor dhe jo më parë.
“Për ndërprerjen e dritave para datës 11 qershor, nuk është përgjegjësia jonë. Për OST-në, ndërprerjet nisin në datën që kemi komunikuar zyrtarisht”, është sqarimi zyrtar i Sistemit të Transmetimit.
Po kështu, paqartësi ka edhe për orarin e kufizimeve. Sipas OST-së, ndërprerja e energjisë elektrike, si kusht për ndërrimin e linjave dhe zëvendësimin e dy të tjerave ku po punohet, nuk zgjat më shumë se 20 minuta, e ndarë me fragmente në zona të ndryshme.
Në fakt, gjithnjë për Tiranën, dritat kanë munguar deri në tri orë, sidomos në zonën e Rrugës së Durrësit, Kavajës dhe Freskut, pranë Dajtit. Edhe e orari i kufizimeve, ka përplasje mes kompanive, pasi të dyja i shmangen përgjegjësisë.
Top Channel