
Zhvillimi i biznesit gjerman, si në teknologji, ashtu dhe në kapacitetet cilësore të burimeve njerëzore, janë arsyet që nxit autoritetet shtetërore shqiptare për t’i ftuar në ndërmarrjen e investimeve në disa fusha.
Në konferencën ekonomike gjermano-shqiptare “Potencialet e rritjes, infrastruktura, logjistika, tregtia”, mbajtur në Hamburg të Gjermanisë, biznesi shqiptar pati mundësi të njihte nga afër partnerët e huaj dhe të lidhte kontakte në interes të të dyja palëve.
I pranishëm në aktivitet ishte dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, i cili përsëriti disa herë ftesën që biznesi gjerman të investonte në Shqipëri.
“Ju jeni një shtet me një teknologji shume të zhvilluar dhe kjo ju bën ju të investoni në vendin tonë, pasi burimet njerëzore në vendin tonë janë të shumta me një moshë të re tashmë të kualifikuar në sektorë specifike, duke qenë kështu më pranë teknologjisë së lartë të zhvillimit mbarë botëror”, tha Jaka.
Ai ka shtuar se, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka “të gjitha kapacitetet për t’iu asistuar profesionalisht si në ndërtimin e partneriteteve biznes me biznes, ashtu edhe në realizimin e projekteve tuaja direkte”.
I pranishëm në takim ishe edhe ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili bëri një ekspoze të situatës ekonomike në vend.
Top Channel