
Kriza politike shqiptare futet në axhendën e të mëdhenjve të Bashkimit Europian.
Pas diskutimit nga nivelet e dyta dhe krerët e grupeve parlamentare, ditën e hënë 27 ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian me në krye baroneshën Cathrine Ashton, shefen e diplomacisë së BE-së do të hartojnë një deklaratë të prerë për zgjidhjen e krizës shqiptare duke i dhënë një dimension më dramatik paralajmërimit të bërë me kohë nga krerët e Brukselit.
Në axhendën e mbledhjes së Këshillit të Jashtëm që do të mbahet më 14 qershor në Luksemburg theksohet se:
“Për Shqipërinë, këshilli do të diskutojë për situatën politike në sfond të përpjekjeve lehtësuese të nismës së ndërmarrë nga krerët e dy grupeve parlamentare të PPE-së dhe PSE-së, Daul dhe Schulz, të cilët janë mbështetur nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Cathrin Ashton dhe komisioneri Fule”.
Këshilli pritet të diskutojë dhe të mirëpresë rezultatet e takimit të nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, më 2 qershor nën drejtimin e ministrit të Jashtëm të Spanjës, Moratinos.
Ai gjithashtu bën thirrje për një angazhim të palëvizshëm të BE-së për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor në linjën e agjendës së Selanikut.
Axhenda e vënë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të 27 vendeve të BE-së i ka hedhur poshtë deklarimet e një pjese të përfaqësuesve të Tiranës zyrtare, të cilat sinjalet nga BE i kanë komentuar si “qëndrime personale.
Top Channel