Është bllokuar ditën e enjte për 24 orë i gjithë transporti hekurudhor grek për arsye të grevës së nëpunësve të hekurudhave. Rreth 300 prej tyre janë grumbulluar para Ministrisë së Transporteve në Athinë dhe kanë protestuar për privatizimin e pjesshëm të këtij sektori, ashtu siç ka deklaruar qeveria greke.

“Sot në grevën e pergjithshme 24 orëshe të sektorit të hekurudhave, punëtorët luftojnë për sigurimin e vendeve të tyre të punës. Ata luftojnë për një shërbim hekurudhor modern që do t’u shërbejë pasagjerëve, luftojnë për t’i shërbyer kauzës për të cilën është krijuar ky sektor”, është shprehur Thanasis Levedis, sekretar i përgjithshëm i Unionit të Punëtorëve të Hekurudhave.

Përfaqësuesit e sindikatës së hekurudhave kanë hyrë brenda në ministri dhe u kanë dorëzuar një peticion zyrtarëve të lartë të saj ku kanë shprehur kundërshtimin dhe pozicionimin e tyre përsa i përket këtij plani qeveritar që do të realizohet pa asnjë konsultim me sindikatat.

“Në këtë moment të gjithë ata që janë përgjegjës për qarkullimin e sigurt të trenave, nuk duhet të mendojnë për hekurudhën dhe për linjat, por për urinë që do të na kërcënojë në të ardhmen”, shprehet Ilias Kourakos, punonjës i hekurudhës.

Athina zyrtare ka publikuar javën e shkuar një plan privatizimi për shitjen pothuajse të gjysmës së Shërbimit Kombëtar të Hekurudhave, si dhe të disa sektorëve të ndërmarrjeve shtetërore që janë problematike siç është ajo e Ujësjellësit.

Ky plan privatizimi është pjesë e masave të rrepta financiare që i janë imponuar Greqisë nga FMN-ja e BE-ja dhe që parashikojnë përfitimin e 3 miliardë eurove brenda një periudhe tre vjeçare.

Shërbimi i Hekurudhave është një nga ndërrmarrjet me defiçitin më të madh në ekonominë greke. Përveçse ka një borxh prej 10 miliardë eurosh në dekadën e fundit, çdo vit kjo ndërmarrje krijon një defiçit prej 1 miliard eurosh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA