
Opera me dy akte “Ana Bolena” e kompozitorit të njohur italian Gaetani Donizzeti erdhi në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë si premierë absolute.
Një histori tragjike e vendosur në Anglinë e shekullit të 16-të, vepra i kushtohet gruas së Henrikut të VIII.
E cilësuar si një nga operat më të vështira të belkantos, vepra lirike në të cilën i këndohet jetës dhe vdekjes, ngjiti në skenë trupën e artistëve shqiptarë nën dirigjimin e mjeshtrit italian Marco Berdondini.
“Të bëjmë një bilanc deri në këtë moment, them që puna shkon mirë, të dielën kemi patur natën e pare, pritja nga publiku ka qenë e mirë dhe për këtë jam i surprizuar, pastaj çdo mbrëmje është e re, jemi në natën e dytë dhe shpresojmë të bëjmë një ekzekutim të mirë të kësaj opere të mrekullueshme”, thotë Marco.
“Për mua është hera e parë që jam në Shqipëri, edhe Ana Bolena është hera e parë që luhet në Shqipëri. Unë e njoh shumë mirë Donizzetin, por Ana Bolenën nuk kam patur mundësi ta dirigjoj. E shumë e komplikuar të luash këtë vepër pasi duhet një ekujlibër midis stramaturgjisë dhe stilit, duhet të mbash ekuilibrin që nuk është i zakonshëm në stilin e Donizzetit. Nuk duhet rrezikuar që të biesh në momente të mërzitshme, sepse është një operacion shumë i gjatë, për këtë duhet ruajtur tensioni nga fillimi deri në fund, përtej vështirësive teknike.
Në dhomën e grimit, pak para hyrjes në skenë takojmë Vikena Kamenicën, që luan në këtë vepër rolin e Xhovanës. Së bashku me Mariana Lekën në rolin e Ana Bolenës e Armando Likaj në rolin e Enriko-s, ata mbajnë peshën e shfaqjes.
“Mamaja ime më thotë vetëm përqëndrim”, thotë Vikena.
Mariana Leka, një nga sopranot tona më të njohura thotë se Ana Bolena për të është një nga rolet kulmore të karrierës së saj i mbartur me emocione të mëdha.
“Është një rol shum i bukur, por edhe shumë i vështirë pasi ka një regjistër shumë të gjërë të sopranos dhe gjithashtu edhe vetë emocione që ka vetë personazhi që përfundon në mënyrë tragjike”, shprehet Mariana.
Me një pune të përbashkët nga fillimi deri në fund, përkushtimi në realizimin e të gjithë elementeve të shfaqjes, nga instrumentistët dhe artistët, e percjellë në vlerësimin e tij dirigjenti Marko Bordondini, i cili vjen në Tiranë për herë të parë dhe veprën Ana Bolena e dirigjon për herë të parë.
“Jam u suprizuar, sepse gjeta kualitete, ka shumë kualitete si nga orkestra me të cilët kam punuar shumë, edhe solistët. Gjeta një përkushtim të lartë për të punuar, disiplinë artistike për të hyrë në atë lloj botë dhe stili dhe për këtë jam shumë i kënaqur”, thotë Marko.
Dirigjentin italian kur e pyet për mezzo-sopranon Vikena Kamenica, ndërkohë që ka punuar me të vetëm për rolin e Xhovanës, jep këtë vlerësim profesional.
“Vikena më duket zë shumë interesant, i bukur dhe për mua ka një të ardhme shumë të mirë. Ka një karrierë përpara dhe mundësi mbi të gjitha, kam punuar me të gjatë përgatitjeve dhe kam përshtypje të mira edhe për karakterin e saj, përveç vlerave të vokalit. E pash edhe në premierë, ka një temperament skenik dhe këto dy gjëra janë të rëndësishme për një artist, kështu që i uroj një karrierë të gjatë”, shprehet Marko.
Tragjedia lirike “Ana Bolena”, një ndërmarrje e vështirë e veprës operistike, tregoi edhe një herë se repertori i artistëve shqiptare nuk njeh kufi.
Top Channel