
Në takimin e përjavshëm me deputetët demokratë, kryeministri Sali Berisha vlerësoi se qeveria shqiptare ndan të njëjtin opinion me Komisionin Europian se heqja e vizave për shqiptarët është një proçes i merituar, që ka në themel të tij suksesin e reformave të Shqipërisë.(UPDATE)
Kryeministri Berisha renditi si më jetiket për liberalizimin e vizave luftën kundër krimit të orgnizuar dhe, korrupsionit, pajisjen me dokumenta të sigurtë identiteti, kontrollin e kufijve, por veçoi vlerësimin e zgjedhjeve si të lira dhe të ndershme, arsyen kryesore për vendimarrjen e liberalizimit të vizave.
“Vendimtare apo më themelore në këtë proçes, kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit, në të cilat, ne u treguam vendeve anëtare të BEsë, se ne kemi vullnet të hekurt, që të respektojmë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Këto zgjedhje ishin autostrada e këtij suksesi historik për çdo shqiptar”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha ftoi kreun e opozitës, Edi Rama të bashkëpunojnë për integrimin europian të vendit, duke lënë të kuptohet se ai nuk e ka bërë këtë për liberalizimin e vizave.
“I njëjti person që do t’u deklaronte shqiptarëve ditën që do të merrnin ftesën për anëtarësimin në NATO, se nuk do t’i jepet Shqipërisë, i njëjti person u deklaroi shqiptarëve se vizat nuk do t’u jepen. Ju e patë reagimin e paprecedentë në historinë e këtij vendi të elitës shqiptare, ndaj së ashtuquajturës grevë, ndaj kampingut që u ngrit para kryeministrisë sepse ishte e qartë, se u zgjodh ky moment pikërisht në prag të një vendimi historik. Zoti Rama bëri një letër pasi u mor vendim. E ftoj zotin Rama të vazhdojë të bashkëpunojë në proçesin e integrimit të vendit dhe në plotësimin e të gjitha atyre kërkesave që ka paraqitur Komisioni Evropian”, shtoi më tej kryeministri.
Edhe gjatë një takimi të hënën pasdite me kongresmenin amerikan Robert Aderholt, anëtar i Komisionit të Helsinkit, që ka monituar zgjedhjet në Shqipëri, kryeministri Berisha u fokusua tek përpjekjet që po bën Shqipëria për integrimin europian të vendit, përgatitjen dhe dorëzimin e pyetësorit në Bruksel, si dhe vendimin e Komisionit Europian për të propozuar heqjen e vizave, të cilin ai e vlerësoi një vendim historik.
“Pas anëtarësimit në NATO, heqja e vizave është ngjarja më e rendesishme për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.
Nga ana e tij, kongresmeni Aderholt i vlerësoi këto reforma si të jashtëzakonshme, që kanë sjellë brenda një kohe të shkurtër arritje mbresëlënëse për shqiptarët.
Top Channel