Kryeministri Sali Berisha zhvilloi pasdite një takim me kongresmenin amerikan Robert Aderholt, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe Bashkëpunimit me Europën në Kongresin amerikan, i njohur si Komisioni i Helsinkit.
Në një njoftim zyrtar thuhet se biseda me kryeministrin Berisha është fokusuar tek përpjekjet që po bën Shqipëria për integrimin europian të vendit, përgatitjen dhe dorëzimin e pyetësorit në Bruksel, si dhe vendimin e Komisionit Europian për të propozuar heqjen e vizave, të cilin ai e vlerësoi si një vendim historik.
“Pas anëtarësimit në NATO, heqja e vizave është ngjarja më e rendësishme për qytetarët shqiptarë”, ka deklaruar kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, kongresmeni Aderholt i vlerësoi këto reforma si të jashtëzakonshme, që kanë sjellë brenda një kohe të shkurtër arritje mbresëlënëse për shqiptarët.
Njoftimi i zyrës së kryeministrit thotë se, duke shprehur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, kongresmeni amerikan shprehu vlerësimin për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Top Channel