Vajza e humbur, pranga një 29-vjeçari për dëshmi të rreme

31/05/2010 09:50

Pas më shumë se një javë kërkimesh pa sukses nëpër male për Bleonën 6-vjeçare të zhdukur në mënyrë misterioze, policia e Kukësit ka ndaluar një 29-vjeçar si person që ka dijeni për ngjarjen.

Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se është ndaluar Luftëtar Jakupi, 29 vjeç, me origjinë nga fshati Lojme, por me banim në Lanabregas në Tiranë për moskallëzim të krimit lidhur me humbjen e 6-vjeçares nga fshati Zapod i Kukësit.

Ky është personi i parë i arrestuar për ngjarjen e zhdukjes së vajzës së vogël, ndërsa gjatë ditëve të shkuara policia ka marrë në pyetje dhe ka shoqëruar dhjetëra persona, e ndër ta edhe 5 vajza të rritura që kanë qenë me Bleonën kur ajo humbi.

Burimet zyrtare të policisë saktësojnë se Luftëtar Jakupi, 29 vjeç, ka deklaruar nëse ka pasur dijeni për “rrëmbimin” siç e ka quajtur ai, të vajzës së vogël nga Zapodi.

29-vjeçari kishte udhëtuar nga Tirana në Lojme, dhe në shtëpinë e motrës së Blerinës (nënës së Bleonës së humbur) në prani të të zotit të shtëpisë B.Veizi, të gruas së tij (që është teze e 6-vjeçares së humbur), Jakupi kishte thënë se vajza e vogël ishte rrëmbyer nga një banor i fshatit Lojme, duke i cituar emrin.

Tezja e vajzës ka njoftuar menjëherë policinë për ngjarjen dhe uniformat blu kanë shkuar për të marrë në pyetje 29-vjeçarin. Por ky i fundit ka mohuar të ketë thënë një dëshmi të tillë, edhe pse është ballafaquar me dëshmitarët.

Për këtë shkak ai është arrestuar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Prapa kësaj manovre, siç mendojnë drejtues të policisë, mund të fshihet një e vërtetë që mund të çojë në gjetjen e vajzës së humbur dhe në zgjidhjen e enigmës që tronditi komunitetin e Kukësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA