Lidhur me masat e marra për sezonin turistik në plazhin e Velipojës, drejtues të komunës shprehen se ashtu si çdo vit është hartuar një plan masash me drejtorinë e policisë, spitalin rajonal dhe me disa institucione të tjera si KESH dhe Drejtoria e Ujësjellësit.
Konkretisht drejtues të komunës shprehen se me strukturat e policisë është hartuar një plan masash për sa i përket qarkullimit rrugor, si për në zonën turistike ashtu dhe për ruajtjen e qetësisë publike.
Në të njëjtën kohë drejtues të komunës sqarojnë se janë dy pika që shërbejnë si pika të urgjencës me mjek 24 orë në dispozicion.
Po ashtu ka dhe dy autoambulanca që do jenë në dispozicion të pushuesve. Një tjetër masë e marrë është edhe furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.
Të gjitha këto masa janë marrë për t’u krijuar sa më shumë kushte dhe lehtësira pushuesve, të cilët do të zgjedhin si destinacion Velipojën.
Ndërkohë masa janë marrë dhe për sa i përket sistemimit të grumbullimit dhe pastrimit të mbeturinave.
Komuna ka angazhuar disa skuadra pastrimi, që do jenë në punë gjatë 24 orëve të të gjithë sezonit turistik.
Po ashtu këtë verë pritet që në plazhin e Velipojës të ketë fluks pushuesish.
Kjo jo vetëm për çmimet e favorshme, por dhe për ujin dhe rërën e pastër që të ofron kjo zonë.
Top Channel