“Burg pa afat” për dy pengmarrësit babë e bir, Mark dhe Valmir Gjinit të arrestuar tri ditë më parë nga policia e Kurbinit për rrëmbimin e Ndoc Ndout.
Ndërsa për pengun e marrë prej tyre është dhënë vendimi me 12 ditë burg për armëmbajtje pa leje.
Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Kurbinit, ndërkohë që seanca është zhvilluar nën masa të forta sigurie për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme mes familjeve të përfshira në ngjarje.
Ndërkohë, armët e sekuestruara pengmarrësve dhe pengut do t’u nënshtrohen analizave balistike për të parë nëse ata janë përdorur në ndonjë krim tjetër.
Për Mark Gjinin dhe Valmir Gjinin akuzat e ngritura nga prokuroria janë “pengmarrje në bashkëpunim”, “heqje e lirisë së personit” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Ndërsa pengu Ndoc Ndou akuzohet për “armëmbajtje pa leje”, pasi policia e Kurbinit gjatë kontrollit në banesën e tij ka gjetur një automatik me 30 fishekë që e mbante pa leje.
Ndërkaq, mësohet se Pashk dhe Valmir Gjini nuk kanë pranuar faktin që e kanë marrë peng nipin e tyre, Ndoc Ndou, por kanë pretenduar se vetëm e kanë futur në makinë për t’u sqaruar.
Po sipas tyre, ata nuk e kanë kërcënuar, por vetëm janë grindur për një sipërfaqe toke.
Ndërsa pengu Ndoc Ndou është shprehur se: “Kam qenë në punë kur ka ardhur Marku e më ka thirrur së bashku me të birin. Kam dalë t’i takoj, por në momentin që janë afruar Marku ka nxjerrë pistoletën duke më kërcënuar se do më vriste nëse nuk hipja në makinë. Jam detyruar me dhunë të futem në makinë. Unë munda t’i bëj një zile, Linditës, nuses sime, që më mori në telefon nga shtëpia. Nuk më lanë të komunikoja gjatë me të, vetëm sa munda t’i them që më ka marrë peng Marku dhe Valmiri. Pastaj erdhi policia dhe munda të shpëtoj”.
Top Channel