QSUT, do të “pastrohet” nga teprica e mjekëve

31/05/2010 09:20

Pakkush e di, por spitali universitar i Tiranës “Nënë Tereza”, përveç mjekëve e punonjësve të shëndetësisë të regjistruar në listën zyrtare, ka edhe të tjerë.

Bëhet fjalë për mjekë vullnetarë, të cilët punojnë pa marrë një pagesë, apo specializantë, të cilët qëndrojnë edhe për shkak të “famës” dhe prestigjit të qendrës kryeqytetase, edhe pse në fakt specializimin duhet ta kryejnë gjetkë, në spitale të tjera rajonale. Nisur nga mbingarkesa e specializantëve që qëndrojnë në Tiranë, por edhe e mjekëve vullnetarë, Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur një urdhër, në të cilën theksohet se të gjithë ata, të cilët aktualisht punojnë të paregjistruar në një nga shërbimet e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” duhet të bëhen të rregullt, të largohen në vendet ku janë deleguar për të kryer specializimin apo të gjejnë mënyra të tjera për të punuar pranë strukturave të tjera spitalore.

Specializantët

Sipas rregullave në fuqi, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kenë shërbim shëndetësor kudo që ndodhen. Nisur nga dëshira që kanë mjekët specializantë për të punuar në spitalet e Tiranës, sidomos QSUT, apo edhe spitalet e qyteteve të mëdha, në rast të verifikimeve për shkelje ata do t’u duhet të kenë një sërë penalitetesh. Të gjitha këto janë sqaruar vit pas viti edhe nga ish-ministrat e tjerë të Shëndetësisë, të cilët bashkohen të gjithë në mendimin se specializantët duhet të punojnë në qytetet ku i është përcaktuar puna nga strukturat përkatëse.

Në raste evidentimesh, masa e parë që merret është prishja e kontratës që ka bërë me rrethin e tij. Kjo do të thotë se specializanti nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë profesionin në një sektor tjetër publik. Më tej, penalizimi është financiar. Mjeku duhet të kthejë shumën e parave që janë dhënë për specializimin e tij 3-4-vjeçar.

Mjekët QSUT

Një tjetër udhëzim që është lëshuar dy javë më parë nga drejtoria spitalore “Nënë Tereza”, në vijim të urdhëresave edhe nga Ministria e Shëndetësisë është lidhur me organizimin e punës.

Sipas udhëzimeve, dita e shtunë për mjekët e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” është ditë pune. Madje në këtë ditë shefat e shërbimeve do të vendosin për ndarjen e punës dhe kryesisht operacioneve gjatë ditëve të javës. Lista do të afishohet, si dhe do të dërgohet për dijeni pranë drejtorisë spitalore. Ashtu siç sqarohet në urdhër, krerët e reparteve te “Nënë Tereza” duhet të bëjnë transparente punën, duke e ndarë atë në mënyrë të barabartë, ndërkohë që ditën e shtunë u duhet ta planifikojnë për ditë pune dhe jo më për pushim. Zyrtarisht do të jetë pushim për punonjësit e shëndetësisë në QSUT vetëm dita e diel.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA