Prokurorja e përgjithshme Ina Rama, me prezencën e ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani, u bëri të njohur drejtuesve të prokurorive në rretheve rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2010 në luftën kundër kriminalitetit.
Këto rekomandime konsistojnë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimit ndërkufitar, trafiqeve të të gjitha llojeve dhe pastrimit të parave, thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e prokurores së përgjithshme.
“Veprat penale kundër korrupsionit duhet të jenë prioritet për organet e prokurorisë, duke e konsideruar korrupsionin si gangrenë dhe asfiksues për funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit ka forcimi i disiplinës fiskale, në reduktimin e ndjeshëm të asaj pjese të ekonomisë informale që është e zezë dhe kriminale, gjë e cila nuk mund të realizohet pa angazhimin e prokurorisë, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Në fund të takimit, Rama shprehu angazhimin për të përmbushur detyrimet ligjore dhe prioritetet e paraqitura nga qeveria në luftën kundër kriminalitetit, duke rritur efektivitetin në ushtrimin e ndjekies penale dhe përfaqësimin e akuzës në emër të shtetit.
Top Channel