Promovohet libri i Sokol Ballës “33”

29/05/2010 08:10

U promovua dje në ambientet e hotel “Tirana International”, libri i ri i Sokol Ballës titulluar “33”, botim i UET-Press.

Ky libër është përmbledhje e 33 intervistave televizive, që autori i ka përzgjedhur mes intervistave të shumta që ka bërë ndër vite me figura qendrore të politikës shqiptare të dy dekadave të fundit dhe me disa personazhe të tjerë.

Përmes këtij dokumentacioni unikal, libri na sjell të gjallë kronikën dramatike të asaj që ka ndodhur gjatë periudhës së trazuar të “tranzicionit” në vendin tonë dhe, nga ana tjetër, na njeh me shqetësime dhe me ndjeshmëritë e autorit si zëdhënës i opinionit publik. Në këtë mënyrë, mund të themi se libri është një udhëtim në tranzicionin shqiptar, ku secili prej nesh sheh pjesë të së shkuarës sonë të përbashkët të këtyre viteve kaq të vështira.

Ai na shërben gjithashtu edhe për të na mësuar që të mos përsërisim sërish gabimet e dy dekadave që shkuan. Kur përfundon së lexuari librin, kupton se gazetaria shqiptare e këtyre viteve është jo vetëm kujtesa jonë, por edhe një gazetari e mirë dhe e ndershme, siç është rasti i gazetarisë që mëshirojnë intervistat e Sokol Ballës të mbledhura në të.

Dhe janë intervistat e: Aleksandër Meksit, Sali Berishës, Eduard Selamit, Pjetër Arbnorit, Alfred Moisiut, Fatos Nanos, Ramiz Alisë, Bamir Topit, Jozefina Topallit, Edi Ramës, John Withers, Kosta Trebickës, Jorgo Papandreut, Mbretëreshës Suzanë, George Soros etj, ato që përbëjnë edhe gamën e personazheve të këtij libri që mban firmën e gazetarit Sokol Balla.  

Top Channel