“33” ngjarjet e Sokol Ballës

29/05/2010 16:45

“33” është titulli i librit të ri të gazetarit Sokol Balla, titull ky që i referohet numrit të intervistave që gjenden në këtë libër.

Bëhet fjalë për intervista të zhvilluara me personazhe protagoniste të momenteve kyçe që nisin nga ’97-a deri në ditët e sotme, pra “tranzicioni në interviste”, sikurse rrëfen edhe nëntitulli i këtij libri.

“Univeristeti Europian i Tiranës ka për kënaqësi që sot të prezantojë librin e katërt të një kolane prej 20 librash, që ka nisur të botojë dhe do të përfundojnë në fillim të dhjetorit. Libri lidhet me dëshmimin e tranzicionit shqiptar. Dëshmimi nëpërmjet eseve, kujtesës, rishfaqjes së asaj gazetarie të përditëshme që ka lënë gjurmë, asaj fjale të njerëzve politikë ose jopolitikë, por që kanë përfaqësuar diçka në këtë historinë tonë 20 vjeçare”, tha në fjalën e hapjes, Henri Çili.

Një opinion për librin “33” e dha Pirro Misha, që ka shkruar parathënien e tij.

“Vlera e parë e një libri të tillë është pikërisht një udhëtim në kujtesë,
për të kujtuar atë itinerar që kemi udhëtuar që nga ’97, faktikisht intervista e parë është pikërisht e asaj kohe, dhe arritja në ditët tona. Është një libër që më kujton thënie të Timoti Gordonesh, një figurë e njohur e gazetarisë dhe publicistikës angleze, i cili thotë se gazetaria e mirë është boceti i parë i historisë. Faktikisht të bombarduar nga informacioni është mjaft e thjeshtë të deformohet kujtesa, sidomos në gjuhën e politikanëve. Ky është një libër që të kujton dhe dëshmi që edhe në Shqipëri ka gazetari të mirë”, u shpreh Pirro Misha.

Në fakt, numri 33 nuk i referohet atij të personazheve të intervistuara, por të ngjarjeve domethënëse dhe roleve të rëndësishme që kanë patur gjatë tyre të intervistuarit.

 “Unë kam zgjedhur 33 intervista. Në fakt personazhet janë vetëm 26. Kryesisht janë zgjedhur momentet e rëndësishme kur këto personazhe kanë patur njëfarë vendimmarrje, kryeministër, ish-kryeministër, president, ish-presidentë, kryeprokurorë, ministra. Janë zgjedhur 33 momente të tranzicionit shqiptar dhe pikërisht në këto momente të rëndësishmë ka folur protagonisti i tyre kryesor. Është tranzicioni në intervistë, përshkruhen 15-17 vitet e fundit, momentet kryesore përmes gojës së protagonistëve kryesorë”, tha autori Sokol Balla.

“33” është libri i dytë i gazetarit Sokol Balla, pas atij të titulluar “Antishqiptari”, botuar në 2005-ën.

Top Channel