
Një zyrtare e lartë europiane thotë për BBC-në se propozimi i Komisionit Europian që Shqipërisë dhe Bosnjës t’i ofrohet regjim pa viza në vendet e “Schengen”-it është gurëthemeli i politikës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Maja Koçijançiq, zëdhënësja e ministres së Jashtme europiane, Catherine Ashton, tha, megjithatë, se ngërçi politik në Shqipëri po dëmton afrimin e mëtejshëm të vendit me BE-në.
“Ajo që mund të them është se ngërçi aktual politik po e dëmton imazhin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengon reformat e rëndësishme si dhe punën ligjore që vendi duhet të bëjë. Në përgjithësi kjo nuk i ndihmon përpjekjet e vendit për të përparuar drejt BE-së”, ka pohuar Koçijançiq.
Zonja Koçijançiq ka prekur edhe cështjen e Kosovës, duke theksuar se shteti i ri ështe pjesë e rëndësishme e perspektivës europiane, megjithëse ai ende nuk është përfshirë në planet e BE-së për regjimin pa viza.
Ajo inkurajoi udhëheqjen e Kosovës dhe Serbisë që të kenë qasje “pragmatike të interesit të përbashkët” dhe tha se Konferenca e nivelit të lartë BE-Ballkan Perëndimor në Sarajevë javën e ardhshme do të nxisë nismat e bashkëpunimit.
Top Channel