Ndoka: Berisha, një komunist në krye të PD

27/05/2010 21:50

Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka ka deklaruar se situata në radhët e së djathtës ka degraduar prej kohësh, për shkak të drejtimit të Partisë Demokratike nga një ish-komunist.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Ndoka është shprehur se Shqipëria është precedenti i vetëm në Evropë që pas rënies së regjimit komunist të qeveriset nga një ish-anëtar i tij.

“Drejtimi i PD u mor nga një ish-komunist. Ky është problemi kryesor i se djathtës shqiptare gjatë këtyre viteve. Në gjithë vendet e lindjes, partitë e djathta nuk janë drejtuar nga ish-komunistë, si në Ceki, Bullgari, Rumani, etj. Vetëm në Shqipëri ishte e thënë që PD të drejtohej nga një person që kishte qenë anëtar i Partisë së Punës”, ka pohuar Ndoka.

Sipas tij, Berisha me mentalitetin e tij komunist ka luftuar për të asgjesuar pozitën e partive të tjera të djathta.

“Berisha është përpjekur të asfiksojë gjithë partitë e djathta, duke ia lënë monopolin e së djathtës vetëm PD-së. Nuk ka qenë një strategji e qartë bashkëpunuese për integrimin e së djathtës. Mendësia e Berishës ishte ta trajtonte PD-në si parti popullore”, ka theksuar Ndoka.

Më tej, duke komentuar rrëzimin nga mazhoranca të kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese, kreu i PDK ka shprehur bindjen e tij se ky veprim ka ardhur pasi qeveria kërkon të kontrollojë gjykatat.

“Edhe ambasadori i SHBA kërkoi që votimi të jetë transparent. Por kemi një mazhorancë që tenton që gjyqtarët t’i ketë veglat e veta, prandaj dhe doli ambasadori”, ka shtuar Ndoka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA