Kriza, PPE: Presim zgjidhje

27/05/2010 19:45

Zëvendëspresidenti i Partive Popullore Europiane, Ioannis Kasoulides, i cili ishte i pranishëm në darkën e Strasburgut, vlerëson se procesi i liberalizimit të vizave, sikundër dhe procesi i kandidaturës së Shqipërisë në BE, has pengesa nga mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet kryeministrit Berisha dhe liderit te opozites Rama.

Kasoulides u kontaktua një ditë më parë nga TCH, pas deklaratës së numrit 2 të grupimit të majtë europian, dhe u pyet nëse e djathta europiane mbështeste qëndrimin e z. Swoboda për bllokim të procesit të liberalizimit të vizave, në rast se palët nuk do të arrinin konsensus brenda dy javësh.

Eurodeputeti i djathtë u pergjigj me shkrim për shkak se ndodhet në Qipro. “Kam besim të plotë se kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i opozitës do të arrijnë një përfundim gjatë takimit të ardhshëm në Strasburg. Të gjithë elementët për një zgjidhje të drejtë ndaj të gjitha shqetësimeve jane aty. Përfituesi kryesor do të jetë populli i Shqipërisë. Një konsensus i tillë do t’i hapë rrugën Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE dhe do të mënjanojë të gjitha pengesat për procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Kasoulides.

Në 19 maj dy forcat kryesore politike europiane, në një letër dërguar kryeministrit Berisha, duke vënë në dijeni dhe liderin e opozitës Rama, kërcënuan me ndërprerje të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. E në këtë kuadër përfshihej dhe liberalizimi i vizave, sqaroi një ditë më parë përfaqësuesi i së majtës europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA