Emigrantët, leje qëndrimi me kredite

27/05/2010 08:55

Pak kohë më parë, Këshilli i Ministrave në Itali ka aprovuar “skemën rregullore”, e njohur ndryshe si “leje qëndrimi me sistem pikëzimi” për të gjithë emigrantët.

Kjo do të jetë një seri mekanizmash, që në thelb “zbusin” versionin fillestar të draftit të propozuar.

Kështu, sipas njoftimit zyrtar të shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve “Integra Onlus”, sqarohet se janë bërë ndryshime, përmirësime, por edhe përshtatje versionit fillestar të dokumentit origjinal.

Këto ndryshime kanë ardhur në kohën e diskutimeve, me propozim të politikanit Gianni Letta, anëtar i Partisë Forza Italia, por edhe me vullnetin e dy ministreve, përkatësisht të Rinisë, Giorgia Meloni, dhe e Shanseve të Barabarta, Mara Carfagna.

Skema rregullatore

Kjo skemë në versionin origjinal parashikonte që të gjithë emigrantët që do të hynin në Itali, të fillonin me zero pikë.

Dhe më pas kreditet e nevojshme të përfitoheshin nëpërmjet një serie kualifikimesh, testesh si ajo e gjuhës.

Modifikime të tjera janë kërkuar nga ministret Giorgia Meloni dhe Mara Carfagna.

Në mënyrë të veçantë, në skemë është parashikuar që marrëveshja e detyruar e integrimit të zbatohet nga mosha 16 deri në 65 vjeç.

Në këtë nismë nuk do të përfshihen ata të rinj që kanë kryer ciklin e shkollës së detyruar, pra të nëntëvjeçares, që në Itali njihet si “medie inferiori”.

Kjo, për shkak se ata që e kanë përfunduar këtë cikël, tregojnë se kanë përshkruar një “distancë” të mirë në rrugën e integrimit.

Ministrja e Shanseve të Barabarta ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe ka arritur të përjashtojë sistemin e pikëzimit për personat me aftësi të kufizuara dhe për gratë e dhunuara, të cilat bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore italiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA