
Shqipëria angazhohet për më shumë kontribut të forcave tona të armatosura në operacionet e paqes. Kjo është konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, gjatë vizitës së tij në Itali.
Imami vizitoi Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s në Romë, një ndër institucionet më të rëndësishme të Aleancës së Atlantikut të Veriut në përgatitjen e personelit të kualifikuar për cështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes, ku marrin pjesë edhe studentë shqiptarë.
Ministri Imami falenderoi komandantin e këtij Kolegji, gjeneralin Uolf Dieter Loeser për vlerësimet pozitive që dha për progresin e bërë në Shqipëri dhe anëtarësimin e saj në NATO.
Gjatë vizitës në Kolegjin e Mbrojtjes të NATO-s, ministri Imami mbajti edhe një leksion me temë: “Shqipëria dhe NATO, anëtarësimi dhe sfidat e së ardhmes”.
Gjatë vizitës së tij në Itali, Imami u prit edhe nga homologu i tij, Ignazio La Russa. Të dy bashkëbiseduesit shprehën konsiderata pozitive jo vetëm për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe për bashkëpunimin shumë të mirë midis dy institucioneve.
Top Channel