
Ka mbërritur pasdreke në aeroportin e Rinasit delegacioni negociator nga Brukseli, që do të ndihmojë në vijimin e dialogut politik për arritjen e një zgjidhjeje për krizën.
Për momentin ai përbëhet nga Jana Sindelkova, zv/shefe e kabinetit të Stefan Fule që mbulon Ballkanin dhe Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së.
Por këtij grupi, gjatë takimeve me palët në Tiranë do t’i bashkangjitet dhe Helmut Lohan, kreu i delegacionit të KE-së.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Komisionit të Vencias, i cili parashikohet të përfshihet në procesin e negociatave, sipas këtyre burimeve, pritet që të shkojë në Shqipëri në një kohë të dytë.
Asnjë prej personave që përbëjnë këtë dërgatë të Brukselit në Tiranë nuk është ekspert i mirëfilltë ligjor, por që të tre janë njohës mjaft të mirë të zhvillimeve politike në Shqipëri.
Takimin e parë me të mbërritur në kryeqytet, ekspertët e kanë bërë me përfaqësues të trupit diplomatik të përfshirë në diskutimet per zgjidhjen e krizës politike.
Në orën 17.30 ekspertët europianë janë takuar me kryeministrin Sali Berisha dhe pas këtij takimi ata janë takuar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ekspertët do të qëndrojnë në Tiranë edhe nesër, por axhenda e tyre do të përcaktohet në funksion të rezultateve konkrete që do të kenë nga takimet e sotme.
Top Channel