Një lajm i mirë për pacientët që trajtohen në spital është për blerjen e ilaçeve. Të paktën deri në fund të vitit, të sëmurët që paraqiten në spital do të kenë të zgjidhur çështjen e barnave.
Ndërkohë që grupet e pacientëve që vuajnë nga sëmundje specifike do të përfitojnë rimbursim nga të ardhurat dytësore, si dhe fonde të hequra veç nga administrata spitalore.
Drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, ka përfunduar tenderimet për barnat e këtij viti. Aktualisht procedurat e blerjeve janë në fazën e lidhjes së kontratave me firmat farmaceutike.
Menjëherë pas kësaj pritet furnizim sipas listës së planifikuar të spitalit, e cila sipas QSUT-së këtë vit është më e gjerë si gamë ashtu edhe në përmbajtje.
Në listën e blerjeve janë përfshirë ilaçe terciare në përshtatje me natyrën e shërbimit spitalor të “Nënë Terezës”.
Citostatikët janë 60% më shumë, po kështu edhe paketa bazë e barnave është 40% në rritje. Plot 60% e buxhetit total të QSUT këtë vit do të përdoret për barna.
Lista e barnave është tenderuar në bazë të kërkesave të shërbimeve. Mungesat e hasura deri më tani në spital kanë të bëjnë me disa barna specifike për pacientë apo grupe pacientësh të veçantë.
“Ajo që desha të theksoj është se pavarësisht se mund të jenë të paplanifikuara disa barna, ne do t’i sigurojmë me çdo kusht ato, duke përdorur të ardhurat dytësore dhe disa rezerva të tjera që do të krijohen gjatë tenderimeve”, theksoi kreu i qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Ilir Dashi.
Top Channel