Janar-prill, thellohet deficiti i buxhetit

19/05/2010 08:00

Buxheti i shtetit duket se ka mbyllur një muaj tjetër negativ në prill, kur të ardhurat ishin 8.3 miliardë lekë më pak se plani (rreth 80 milionë euro) dhe deficiti 5.3 miliardë lekë, afërsisht dy herë më shumë se sa parashikimi.

Të dhënat e buxhetit të shtetit të publikuara dje tregojnë se qeveria arkëtoi gjatë katërmujorit 100.5 miliardë lekë, me një rritje minimale prej vetë, 3.6 përqindësh në krahasim me një vit më parë.

Duke marrë parasysh efektin e taksave shtesë të vendosura vitin e kaluar si dhe inflacionin vjetor prej 3.9 përqindësh, të ardhurat e buxhetit kanë tendencë reale negative.

Të ardhurat e pushtetit vendor, të cilat pasqyrojnë sasinë e taksave të paguara nga biznesi i vogël, ishin përgjegjëset kryesore të mosrealizimit të planit. Në rënie të fortë janë edhe hyrjet nga tatimi mbi të ardhurat personale, gjë që pasqyron pjesërisht efektin e mbylljes së punimeve në rrugën Durrës-Kukës dhe pjesërisht uljen reale të numrit të tatimpaguesve për shkak të papunësisë.

Rritmi i ulët i rritjes së të ardhurave fiskale tregon edhe ecurinë e përgjithshme negative të ekonomisë, e cila besohet se në tremujorin e parë ka ndaluar së rrituri ose po pëson rënie. Një vlerësim paraprak zyrtar për këtë tremujor pritet të publikohet në fund të muajit qershor nga INSTAT-i.  

Top Channel