53 numri i grevistëve të larguar

18/05/2010 08:35

Grevistë që lënë çadrën e protestës për t’iu drejtuar spitalit dhe deklarata politike që shoqërojnë këtë situatë që ka hyrë në ditën e 17-të; ky është një ritual dominues i aksionit të opozitës që e ka përqendruar energjinë e vet përpara selisë së qeverisë.

Cikli shëndetësor ka nisur të përcaktojë ritmin ditor politik, duke nxitur boshatisjen e çadrës ku ende janë të ngujuar 150 grevistë të urisë.

Regjistrimi i ngjarjeve të këtilla nuk ka munguar edhe dje, teksa dy deputetë dhe tre shtetas tjerë janë përcjellë për në QSUT për shkak të përkeqësimit të gjendjes së shëndetit.

Besnik Baraj, deputet i Tiranës është detyruar për herë të dytë të largohet, i paraprirë nga kolegia e Beratit, Ermonela Felaj.

Më herët në mëngjes, rreth orës 08.40 Agim Seva, 40-vjeçar nga Lushnja ka lënë çadrën për të zgjeruar statistikën e një ngjarjeje që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

E njëjta gjë ka ndodhur në orët e darkës edhe me Armando Uruçin nga Tirana dhe Viktor Hilën nga Guri i Zi.

Jo vetëm kohëzgjatja në një mjedis të përbashkët, por edhe ngjarje personale duket se kanë krijuar tiparet e një komuniteti njerëzor që po ndan përveç dramës së përditshme edhe momente të veçanta.

Ditëlindja e deputetit Fatmir Xhafa duket se ka qenë një e tillë dhe që nuk i ka munguar edhe vëmendja e kreut socialist, Edi Rama. Një tufë me lule nga ky i fundit ka qenë dhurata për Xhafën që është edhe drejtuesi më i lartë i përfshirë në grevën e urisë.
: Për kutitë vendosin gjykatat

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA