Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka përshëndetur dhe e ka cilësuar kurajuese marrëveshjen mes Iranit dhe Turqisë mbi pasurimin e uraniumit.
“Marrëveshja do të shqyrtohet me imtësi prej ekspertëve tanë sepse është mjaft e rëndësishme të mësohet nëse ajo respekton rezolutat e miratuara deri më tani nga Këshilli i Sigurimit. Brenda 7 ditësh, ANEB-it (Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore) do t’i vihen në dispozicion detajet e marrëveshjes mes Iranit dhe Turqisë dhe pas këtij hapi do të jemi në gjendje ta kuptojmë më mirë marrëveshjen”, deklaroi zëdhënësi i Ban Ki Mun, Martin Nesirki.
Irani arriti një marrëveshje më Turqinë ku parashikohet dërgimi i një sasie prej 1200 kilogramë uranium të pasuruar minimalisht në Turqi. Megjithë reagimin pozitiv të OKB-së, vendet perëndimore shprehen skeptike për sa i përket programit bërthamor iranian. BE shprehu dyshime për të dhe kërkoi detaje të mëtejshme, ndërsa Uashingtoni mbetet ende i shqetësuar.
Top Channel