Invalidët e Fierit: Jemi të harruar nga shteti

17/05/2010 08:30

Invalidët e punës në Qarkun e Fierit nuk kanë arritur të përfitojnë asnjë nga lehtësirat e parashikuara me ligj.

Bëhet fjalë për subvencionimin e energjisë elektrike që ata harxhojnë në familjet e tyre, si dhe për rimbursimin e recetave të medikamenteve me të cilat trajtohen çdo muaj. Ndonëse disa herë kanë kërkuar njohjen e të drejtave të tyre, askush nuk është kujtuar për ta.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të qarkut, Ramiz Hoxha, u ka bërë apel institucioneve vendore e qendrore për njohjen e të drejtave të invalidëve. Në emër të shoqatës që Hoxha drejton, ai ka kërcënuar se do t’i organizojë invalidët edhe në reagime të ashpra, pasi kjo kategori, sipas tij, ndihet më e diskriminuara në shoqërinë e sotme. Ramiz Hoxha, mes shumë problemeve me të cilat hasen invalidët e punës së Qarkut Fier çdo ditë, nxjerr si më të domosdoshme dhe emergjente faturat e energjisë elektrike dhe rimbursimin e recetave të ilaçeve.

“Invalidët e punës po përjetojnë braktisjen e autoriteteve shtetërore. Atyre nuk po u njihet asnjë lehtësi lidhur me faturat e energjisë dhe së fundmi edhe të ujit. Siç dihet, uji në Fier është shtrenjtuar dhe për pasojë invalidët nuk e përballojnë dot. Por jo vetëm këto fatura, por aq më shumë dhe ato të energjisë, nuk po subvencionohen për këtë kategori të rëndësishme sociale”, ka thënë kreu i invalidëve të Fierit, Ramiz Hoxha.

Më tej ai ka theksuar se një problem mjaft serioz është dhe mungesa e rimburisimit të recetave për medikamentet mjekësore, të cilat invalidët i marrin në mënyrë periodike. “Për ne invalidët, ilaçet janë një shqetësim mjaft i madh, pasi dhe masa e rimbursimit është mjaft e vogël. Duhet parë edhe një herë skema e rimbursimit për kategorinë e invalidëve, pasi jemi e vetmja shtresë që ka sakrifikuar shumë për këtë vend.

Pikërisht për këtë kontribut ka të drejtë që të shikohet edhe një herë ndryshimi i skemës së rimbursimit, me qëllim zbutjen sadopak të problemeve ekonomike të tyre”, ka thënë Ramiz Hoxha. Invalidë të ndryshëm në Fier kanë thënë për “Shqip” se trajtohen me pensione fare minimale dhe nuk arrijnë të përballojnë as nevojat më minimale. Shoqata e Invalidëve të Qarkut Fier numëron rreth 3500 anëtarë në të treja rrethet e qarkut: Fier, Lushnjë e Mallakastër.
 
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA