“Shkrehet” sektori energjetik në rajonin e Fierit. Mbi 650 punonjës të filialit të OSSH-së do të humbasin vendin e punës.
Filiali i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Fier, në të cilin bëjnë pjesë disa zona energjetike që nga Elbasani e deri në Gjirokastër, është përballur gjatë muajit maj me reformën më të thellë që ka njohur ndonjëherë ky sektor.
Drejtues të këtij filialit kanë pohuar se plot 650 punonjës kanë humbur vendin e punës.
“Në datën 5 maj u është komunikuar largimi nga puna i 570 punonjësve, kurse pjesës tjetër po i komunikohet nga java në javë. Deri në fund të muajit maj, numri i punëtorëve që do të largohen prej marrëdhënieve punëdhënës-punëmarrës në filialin e OSSH-së do të shkojë në 650. Ky është një proces i pashmangshëm, pavarësisht impaktit negativ që regjistrohet në funksionimin normal të zonës energjetike të Fierit”. Kështu janë shprehur drejtuesit e filialit të OSSH-së së Fierit.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se reforma më e fundit cilësohet si më e thella që është aplikuar në sektorin energjetik të vendit, që pas vitit 1992. Kjo reformë nuk ka lënë pa prekur as drejtuesit e sektorëve të rëndësishëm të filialit dhe aq më tepër punonjësit e rolit bazë.
“Punonjës të administratës dhe punonjës të rolit bazë janë larguar nga puna. Motivacioni ka qenë shkurtim i vendit të punës. Edhe pse po shihet një tendencë për të zëvendësuar disa nga postet, vendet e të cilave janë shkurtuar, sërish konsiderohet si i vështirë procesi i përzgjedhjes së specialistëve. Drejtimi i sektorit energjetikë mes privatit dhe shtetit e ka bërë më të vështirë zbatimin e reformës, si dhe marrjen e specialistëve. Natyra drejtuese e dyfishtë ka bërë që filiali i OSSH-së së Fierit sot të vuajë jo vetëm për administrator dhe menaxhues të specializuar, por edhe për punonjës si faturistë, deri edhe arkëtarë”, vijojnë të tregojnë për “Shqip” drejtues të filialit.
Mungesa e punonjësve ka sjellë pengesa të mëdha, jo vetëm në riparimin në kohë të defekteve, por edhe në matjen korrekte të konsumit të energjisë elektrike. Gjatë dy ditëve të fundit, kur moti është shoqëruar me erë të fortë dhe reshje shiu, rrjeti energjetik i Fierit ka pësuar defekteve në shumë pika. Riparimi i këtyre defekteve ka zgjatur disa orë, dhe ka shkaktuar mungesë të energjisë elektrike për më shumë se 6–10 orë gjatë një dite.
Kurse për matjen e konsumit mujor të energjisë është operuar ose me fatura aforfe, ose me një mesatare të faturave për muajt e mëparshëm. Të dyja këto probleme që nuk po përballohen për nga ana organizative prej filialit të OSSH-së, kanë sjellë reagimin e komunitetit, i cili gjatë gjithë javës që sapo u mbyll mbeti dyerve dhe korridoreve të drejtorisë, duke arritur deri dhe në protesta. Prej dy vjetësh, filiali i Fierit po përballet me shkarkime të njëpasnjëshme drejtuesish, ndërsa investimet për rrjetin tejet të amortizuar dhe për nënstacionet mbeten si procese të veshura me tepër mister dhe shumë larg promovimit në rast të kryerjes së ndonjë prej tyre.
Top Channel