“Rruga e Kombit” hapet javën tjetër

15/05/2010 09:25

Tuneli i Kalimashit do të hapet në datën 21 maj, ashtu si është parashikuar. Kjo është java e fundit e punimeve dhe më në fund galeria do të jetë e hapur për udhëtarët.

Punimet

Asfaltimi gati ka mbaruar, ndërsa disa specialistë italianë janë në fazën e fundit të lyerjes. Elektricistët, nga ana e tyre, po montojnë edhe llambat e fundit dhe kamerat, ndërsa specialistë të tjerë po merren me sinjalistikën. Ndërkohë, zjarrfikësit që do të mbikëqyrin trafikun në tunel po trajnohen në Kukës prej shumë ditësh për të qenë gati të premten e javës tjetër. Nga ana tjetër, burime të besueshme të pushtetit vendor në Kukës tregojnë se nuk do të bëhet asnjë ceremoni zyrtare në ditën e hapjes së tunelit.

Thjesht njerëzit do të kalojnë nga një epokë në tjetrën pa pompozitet. “Njëherë është inauguruar tuneli, nuk do të bëjmë dy inaugurime për një vepër”, thonë burime konfidenciale në institucionin e Prefekturës së Kukësit. Deri tani ende nuk ka një njoftim zyrtar për manifestim te tuneli, por mijëra njerëz nga Kukësi, Kosova dhe Maqedonia kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë në tunel.

Rruga e vjetër

Pikërisht për shkak të  vështirësisë për ta përshkuar rrugën e vjetër, të ndërtuar si rrugë të ashtuquajtur “strategjike”, ku nuk mund të udhëtonte dot armiku, kjo rrugë u bë shkak që rajoni i Verilindjes të mbetet i veçuar nga zhvillimi i pjesës tjetër të vendit.

Ndërsa Kosova dhe Shqipëria mbetën larg integrimit ekonomik. Në stinën turistike mijëra kosovarë kanë udhëtuar drejt bregdetit duke kaluar nga Maqedonia, ndërsa çdo lidhje tjetër ka qenë thjesht virtuale, përjashtuar rajonet e varfra kufitare. Ndonëse dy pjesë të të njëjtit komb, Shqipëria dhe Kosova kanë pasur nivelin më të ulët të marrëdhënieve ekonomike në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Po të shihen statistikat e viteve 2000, nuk ekzistojnë statistika marrëdhëniesh ekonomike, madje dhe pas luftës së Kosovës, niveli i shkëmbimeve mbeti tepër i papërfillshëm. Gjatë gjithë vitit, Dogana e Morinit mund të arrinte të regjistronte shkëmbime mallrash ndoshta pak më shumë se sa mund të regjistrohej brenda një dite të vetme në Kakavijë apo në Vlorë. Rruga e vjetër për më tepër ka shkaktuar dhjetëra të vdekur çdo vit nga aksidentet, çdo kilometër i saj është i mbushur me lapidarë tragjikë.

Bllokimi

Për disa muaj që funksionoi një nga galeritë e tunelit të Kalimashit, ndonëse me turne dhe me kufizim lëvizjeje në orët e natës, shkëmbimi i njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte shumë i madh dhe i paparashikuar.

Gjatë gjithë kohës kur mbeti e hapur galeria e përkohshme e inauguruar në prag të zgjedhjeve elektorale të qershorit të vitit të kaluar, ritmi i lëvizjes së mjeteve ishte mesatarisht nga 14 deri në 23 mijë në një ditë. Kosova mbylli përkohësisht kanalet e furnizimit nga Maqedonia, Vojvodina, Serbia e Bullgaria dhe u orientua drejt Shqipërisë dhe tregjeve të Europës Perëndimore për naftën dhe për shumë mallra të tjerë jetikë për ekonominë.

Mbyllja e galerisë veriore në fund të vjeshtës 2009 pezulloi gati çdo fluks të mundshëm të shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së lirë mes dy vendeve, gjithçka u kthye si më parë. Në të dyja anët e kufirit bëheshin apo nuk bëheshin 100 apo 150 mjete gjithsej, kryesisht emigrantë që shkojnë e vijnë, si edhe dy-tre autobusë, të cilët udhëtojnë në cikël 24 orësh nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas. Ndërsa Kosova iu rikthye sërish tregjeve lindore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA