Fotot e Marubit në Helsinki

12/05/2010 20:20

Në Muzeun e Kulturave te Helsinkit janë paraqitur copëza të realitetit shqiptar, nëpërmjet fotove të Marubit. Kjo është ekspozita e parë e kësaj gjinie në vendet skandinave.

Ekspozita është pjesë e projekteve të Organizatës FAVA, e cila punon për të përmirësuar gjendjet e artit në Shqipëri dhe për t’a bërë të njohur atë në botë.

Është ideuar nga finlandezja Lea Cristina, bashkëshortja e ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri, e cila gjatë qëndrimit të saj në vendin tonë, u njoh edhe me punët e Marubit dhe vendosi t’i cojë ato në Finlandë, për të treguar një pjesë të kulturës shqiptare.

“Një ditë isha duke ecur në muzeun e kulturës dhe mendova se fotot e Marubit duhet të publikohen mirë. Hyra dhe bisedova me drejtoreshen e institutit”, thotë Lea Cristina, ideatore e ekspozitës.

Ekspozita, e cila u çel nga konsullja e përgjithshme e nderit në Finlandë Liliana Verdha, është e përbërë nga rreth 70 foto të Marubit, të ndara në tre kategori: ato të portreteve, të veshjeve tipike dhe të peisazheve shqiptare.

Pjesë e saj ishin edhe objektet ballkanase, një pjesë e të cilave shqiptare.

“Më duket shumë tërheqëse, sepse ka një influencë të fortë të të gjitha kulturave të Shqipërisë, por edhe ato europiane. Këto foto janë si dritare të Shqipërisë së vjetër”, thotë fotografi Hannu Sinisalo.

Arkitekti i sapodiplomuar Elian Stefa paraqiti dokumentarin “Kërpudha çimentoje”, pjesë e projektit “Concrete Mushrooms”, që trajton mundësitë e ndryshme për të kthyer bunkeret në objekte turizmi e jo vetëm. Ekspozita do të qendrojë e hapur në Helsinki deri në fund të vitit, me mundësitë për të lëvizur më pas edhe drejt Amerikës dhe Danimarkës.

Top Channel