Një afishe pranë Teatrit Kombëtar lajmëron premierën. Në datat 13, 14, 15 dhe 16, “Darka e gabuar”, një dramatizim mbi romanin e Ismail Kadaresë, do të ngjitet premierë në Teatrin Kombëtar.
Regjisori Fatos Haxhiraj, së bashku me kastin e përzgjedhur prej tij (Ndriçim Xhepa, Artan Imami, Bujar Asqeriu, Naum Shundi, Pirro Malaveci, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Mehdi Malkaj etj.), u ulën në tavolinën e provave në gjysmën e marsit.
Atëkohë regjisori Haxhiraj, që kthehet pas shumë vitesh mungesë në Teatrin Kombëtar, u shfaq entuziast për këtë pjesë. Proza e Kadaresë përbënte për të një garanci për të hamendësuar mbi rezultatin e inskenimit të saj.
“E kam përzgjedhur këtë roman për idetë që ka dhe për faktin se kur e kam lexuar për herë të parë, pashë atje shumë personazhe që mund të viheshin në skenë. Më pëlqen ndërthurja që romani ka mes komikes, tragjikes, ironisë. Kadare është me të vërtetë shekspirian”, qe shprehur regjisori në të parën konferencë prezantuese të veprës. Atëherë ishte vetëm në fillim të provave. I kthyer pas 20 vitesh, ai e përligji këtë angazhim të tij me romanin interesant të Kadaresë.
Regjisori ka bashkëpunuar me shkrimtarin e njohur për dramatizimin e këtij romani. Deri më tani, regjisori ka shpalosur shumë pak nga koncepti i tij regjisorial, duke lënë të kuptohet se aktorët do të veshin e zhveshin petkat e dy personazheve gjatë kohës që janë në skenë. “E kemi zgjedhur këtë mënyrë edhe si element artistik të shfaqjes, por edhe për mungesë të aktorëve”, ka thënë regjisori. Skenografia e pjesës do të realizohet nga Taulant Pustina, ndërsa kostumet do të realizohen nga maqedonasi Blagoj Micevski, i cili është prezantuar te publiku me kostumet e shfaqjes “Elektra”.
Top Channel