Shok, frikë dhe zemërim, janë ndjenjat mikse tashmë të miliona grekëve pas masave më të rrepta që ka marrë ndonjëherë një qeveri në 65 vitet e fundit, si kusht për huanë prej 110 miliardë euro nga FMN-ja dhe BE-ja, në një afat kohor prej tre vitesh, për daljen e vendit nga kriza.
Kjo hua është e para në llojin e saj që i jepet për shpëtimin e ekonomisë, një shteti anëtar të Eurozonës dhe kryeministri Papandreu e ka quajtur atë si rrugëzgjidhjen e vetme për fatet e kombit.
“Morrëm vendime të vështira, por të domosdoshme për atdheun. Për fat të mirë Europa ju përgjigj pozitivisht thirrjes sonë dhe kjo na jep një frymëmarrje lehtësimi dhe një periudhe kohore qetësie për ndryshimet e mëdha që ka nevojë vendi”, është shprehur Papandreu.
“Sakrifica e madhe”- shkruan në faqen e saj të parë proqeveritarja “Ta Nea”, kurse gazeta “To Ethnos” ka si titull “Asfiksimi për 5 vite të ngurta”. Ajo çka shkakton dëshpërim dhe pesimizëm tek njerëzit e thjeshtë të cilëve ju reduktua ndjeshëm e ardhura e tyre mujore, është fakti se përsëri ata paguajnë çmimin e madh të krizës greke.
“Greqia duhet të ndryshojë. Gjithë struktura e saj duhet të ndryshojë. Dhe në fillim të këtij ndryshimi të jetë vetë parlamenti. Të reduktohet nga 300 në 200 numrin e deputetëve duke dhënë ata shembullin”, është shprehur një nënpunëse në sektorin privat.
Qysh sot kanë filluar reagimet e qytetarëve greke me grevën 24 orëshe të nënpunësve në administratën lokale, ndërsa në dy ditët që vijnë, gjithë vendi do të paralizohet përsëri nga grevat e konfederatave të sektorit shtetëror dhe atij privat.
Atmosferës tepër të zymtë në vend i shtohet përsëri një goditje ironizuese nga revista gjermane “Fokus”, e cila për herë të dytë brenda dy muajsh boton një fotografi të Afrodites së Milos, kësaj here me dorën e shtrirë duke kërkuar ndihmë nga Europa.
Ende nuk dihet saktësisht se sa vjet do të qendrojnë në fuqi masat e ashpra financiare të qeverisë Papandreu sepse ekonomia greke do të tkurret akoma më shumë gjatë vitit 2011. Sfida e saj kryesore është që të mund të rimëkëmbet, të bëhet konkurente si dhe të qendrojë me dinjitet në zonën e euros.
Top Channel