Tryeza, debate dhe aktivitete për lirinë e shprehjes u zhvilluan sot në Prishtinë, me rastin e ditës së mediave.
Në një tryezë, gazetarët ftuan politikën që t’i shohë ata si partnerë dhe jo si armiq. Por analistë të ndryshëm kanë denoncuar situatën e vështirë në të cilën punojnë gazetarët kosovarë.
“Gjëndja nuk është e mirë. Gazetarët kanë raportuar për kërcënime dhe pengesa në vendet e tyre të punës”, ka deklaruar Ymer Mushkolaj.
Ndërsa pedagogë të ndryshëm të degës së gazetarisë e kanë vënë theksin tek vartësia e medias nga politika.
“Mediat janë në shërbim të grupeve të interesit dhe jo në shërbim të informimit të njerëzve. Gjithashtu, agjencitë e reklamave janë pjesë e strukturave qeveritare”, është shprehur pedagogu Milazim Krasniqi.
Në raportin e “Freedom House” për lirinë e shtypit Kosova radhitet në vendin e 53-të si vend pjesërisht i lirë.
Top Channel