“Big Brother”, largohen Seldi dhe Hakiu

02/05/2010 08:00

Emocione të forta kanë shënuar spektaklin e mbrëmshëm të “Big Brother” në “Top Channel”.

Pas largimit të Seldit, “Vëllai i Madh” ka vendosur që këtë mbrëmje të ketë një eliminim tjetër. Kika dhe Jetmiri janë përballur në këtë eliminim të dytë, një sfidë të cilën Arbana e ka cilësuar si më të fortën gjatë edicionit të tretë të “Big Brother Albania”. Kjo sfidë është fituar nga Jetmiri.  

Ndërkaq, ashtu si çdo javë, nuk kanë munguar as surprizat për banorët brenda shtëpisë. I tillë ka qenë realizimi i portretit të babait të Klodit, të cilin ai e priti me shumë emocione. Një tjetër surprizë është menduar edhe për Jonën, nga i fejuari i saj, Christopher.

Erioni dhe Hakiu kanë shpëtuar të parët nga eliminimi. Miri, Mandi dhe Seldi janë dërguar në zonën e tunelit, ku kanë pritur vendimin se cili prej tyre ishte i eliminuari. Jona është dërguar në zonën e tunelit dhe ka thërritur brenda në shtëpi Mirin, i cili ka qenë i shpëtuari i radhës. Sfida ka qenë mes Seldit dhe Mandit. Arbana lajmëron se banori që lë përfundimisht shtëpinë e “Big Brother” është Seldi. Domi ka shpërthyer në lot, edhe pse i ndan vetëm dy javë nga takimi me të dashurin e saj. Por një tjetër konkurrent do të lërë shtëpinë. Arbana ka lajmëruar banorët dhe publikun se do të ketë një eliminim të dyfishtë, i cili është bërë në mënyrë të rregullt, ku në televotim shkojnë dy më të votuarit, Hakiu dhe Jetmiri, televotim të cilin Arbana e konsideron si më të fortin e këtij edicioni të “Big Brother”.

Seldi-Domenika, komente për lidhjen
Gjatë këtyre ditëve, Seldi dhe Domenika kanë qenë më shumë se kurrë pranë njëri-tjetrit. Domenika i ka kërkuar ndihmë “Vëllait të Madh” për t’i organizuar atij një surprizë me rastin e tremujorit të lidhjes me Seldin. Ata i thonë Arbanës se i kanë kaluar shumë bukur këto momente, ndërsa më pas shfaqet një klip me përmbledhjet e këtij momenti, çastin kur Seldi i kërkoi Domenikës të fejoheshin. Arbana e pyet Domin nëse është gati për t’i kthyer një përgjigje dhe ajo i thotë se ende ka nevojë të mendohej dhe se nuk e kishte ende një përgjigje për Seldin, pavarësisht nëse ai do të dilte apo jo.

“Loja e kubave”

Gjatë kësaj jave, banorët kanë praktikuar një lojë, e cila është quajtur “Loja e kubave”. Loja u shërbeu atyre për të kuptuar e njohur më mirë njëri-tjetrin, apo për të qenë më të qartë për përshtypjet dhe idetë që kishin krijuar për secilin. Banorët kishin në dispozicion shtatë kuba, të cilët vendoseshin sipër njëri-tjetrit, sipas një klasifikimi preferencash. Ata duhet të etiketonin banorët, mbi bazën e disa epiteteve të përcaktuara nga “Big Brother”. Arbana i pyet se sa të sinqertë kanë qenë gjatë kësaj loje dhe pjesa më e madhe e tyre përgjigjen se kanë qenë shumë të sinqertë.

Babai i Klodit, në një portret
Një surprizë është menduar edhe për Klodin gjatë spektaklit të mbrëmshëm të “Big Brother” në “Top Channel”. Hyrja e tij shkaktoi një mori diskutimesh. Publiku u duk sikur u nda më dysh, pas deklaratës së tij se ishte homoseksual. Fillimisht Klodi ishte paksa i shqetësuar për reagimin e të afërmve, por më pas u përball me gjithçka dhe zgjodhi që të shfaqej te banorët me thjeshtësi e sinqeritet. Ndër të tjera, ai ka treguar se e ka njohur shumë pak të atin, i cili prej tre vitesh nuk jeton më. Përmes një klipi, Klodi ka shprehur se e ka ndier mjaft këtë mungesë dhe se sa bosh ndihet emocionalisht. Arbana tregon se me anë të një piktori është realizuar një portret i babait të Klodit, duke marrë shkas nga e vetmja foto ekzistuese e tij, atë të lajmërimit të vdekjes. Ajo e ka ftuar djalin nga Lezha në dhomën e kuqe, ku gjen pikërisht këtë surprizë. “Babai më ka munguar gjithmonë. Me vdekjen e tij, shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën time. Unë mundohem t’u them të gjithëve që kanë përjetuar të njëjtën situatë si unë, se duhet të dinë edhe të falin, pavarësisht gabimeve që prindërit tanë bëjnë. Unë i lutem atij gjithmonë, sepse ai është engjëlli im”, thotë mes lotësh Klodi. Më pas ai shikon portretin të cilin e puth me shumë mall.

Surpriza për Jonën
Edhe për banoren e re, Jonën, “Vëllai i Madh” ka rezervuar një surprizë. Ajo ka kaluar një periudhë kohe në një vend mjaft të veçantë, që është Afrika e Jugut, ku pikërisht aty, është njohur me të fejuarin e saj, Christopher. Ata nuk shihen shumë shpesh, për shkak të distancës, e megjithatë janë shumë të lidhur. Chris i ka shprehur dashurinë e tij Jonës, me anë të një klipi.
Më pas, Arbana i shpjegon Jonës se në fund të pishinës është një enë, ku brenda saj ka diçka për të. Ajo heq mikrofonin dhe zhytet në pishinë për të marrë kutinë ku gjenden biletat e ndeshjes së futbollit për Kampionatin Botëror në Afrikën e Jugut, si dhe një letër të dërguar nga Chris.

Djemtë  fitojnë provën e kukurecit
Arbana flet me Klodin, për një dëshirë që ai ka shprehur gjatë javës për të ngrënë kukurec. Dëshirës së tij i janë bashkangjitur edhe banorët e tjerë, e ndaj Arbana u thotë se për ta merituar duhet të kalojnë një provë. Të gjithë djemtë shkojnë në oborr, ku gjendet një litar i lidhur me një makinë, të cilën duhet ta tërheqin brenda dy minutash. Djemtë e fitojnë provën dhe fitojnë në këtë mënyrë pesë racione kukurec.

Prova e javës së ardhshme
Arbana u ka komunikuar banorëve ardhjen e një konkurrenti të ri, i cili ndodhet në dhomën e gjumit. Ajo u thotë atyre se duhet të vendosin se në cilin krevat do të flejë ai. Më pas i fton të shohin në monitor, ku shfaqet imazhi i një gjarpri. Është pikërisht ai për të cilin po flet prezantuesja. Në fakt bëhet fjalë për provën e re të javës. Diçka e pazakontë do të ndodhë në shtëpinë e “Big Brother”. Prova e ardhshme quhet “Kopshti zoologjik”. Arbana i fton të shkojnë në oborr ku gjenden kafshët. Banorëve do t’u duhet të kujdesen për kafshët, t’i lajnë, t’i ushqejnë etj., duke i lajmëruar se të tjera kafshë do të vijnë gjatë javës në shtëpi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA