Moisiu: Korrupsioni? S’po shohim ndëshkime

30/04/2010 08:15

Ish-kreu i shtetit shqiptar, Alfred Moisiu, ka deklaruar se korrupsioni në Shqipëri është një fenomen që në vend të frenohet, shtohet dita ditës.

Duke folur në një aktivitet ku kanë marrë analistë të organizatës FRIDE, si dhe të fondacionit “Soros”, ish-presidenti i Republikës nga viti 2002 deri në 2007, ka theksuar se për shkak të korrupsionit, në Shqipëri preken vetëm ata që cilësohen si “peshqit e vegjël”.

“Të gjithë biem dakord që korrupsion Shqipëria ka, por e keqja është se korrupsioni, pavarësisht se flitet dhe përflitet kur reagojmë, ai vazhdon të rritet, në vend që të pakësohet”, tha ish-presidenti Moisiu, i cili më pas ka analizuar fenomenin, duke drejtuar gishtin te politika, që ndikon në mospavarësinë e institucionit kryesor të akuzës.

“Unë them që prokuroria merr atë që i servir politika. Nuk flas për një polic apo infermier, por për figura me peshë, pasi politika e bën këtë me ndonjë kokë turku. Por njerëzit me peshë, apo ndonjë ministër në bankën e të akuzuarve, deri tani nuk e kemi parë”, u shpreh ish-kreu i shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA