Seanca, Meta: Opozita synon të ngjallë panik

29/04/2010 19:20

Në punimet e sotme parlamentare, mori pjesë edhe opozita, pas një bojkoti dy javor në shenjë proteste kundër dhunës ndaj fjalës së lirë.

Deputetja Arta Dade në fjalën e saj, deklaroi se dhuna verbale ndaj deputetëve, presionet e gjithanshme, papunësia në rritje, braktisja e njerëzve në nevojë, diskriminimi për motive politike janë disa nga karakteristikat e kësaj qeverisje, që e kanë futur vendin në krizë.

Deputeti tjetër socialist Damian Gjiknuri deklaroi se kriza nuk zgjidhet me forcën e kartonit, ndërsa të vërtetat e hidhura nuk fshihen.

Gjiknuri foli për korrupsion në cdo hallkë shteti, duke theksuar se lista e abuzimit nuk mbaron asnjëhere. Për këtë motiv, thekson Gjiknuri, qeveria reagon cuditshëm dhe nuk dëgjon dhe sheh të vërtetat e hidhura.

Ministri i Financave Ridvan Bode, ne fjalën e tij në parlament deklaroi se Shqipëria nuk vuan nga borxhi, por nga një opozitë që ka humbur toruan dhe është mbyllur në kutitë e votimit.

“Ju opozitarë keni një problem të madh, flisni për krizë, kur realisht krizë ekonomike nuk ka. Ne kemi rritjen ekonomike 3.3 përqind, duke lene pas vendet europiane”, u shpreh Bode, duke kërkuar nga kolegët socialistë që të flasin me argumente dhe të mos japin deklarime të pabaza.

Kurse deputeti tjetër socialist, Eduart Shalsi deklaroi se mazhoranca me pengimin e transparencës së zgjedhjeve, i ka hapur rrugë një kauze të madhe dhe një proteste që do të hyjë në histori.

“Kriza ekonomike është më e rënda për jetën e shqiptarëve, ndërkohë ministri Bode jo vetëm nuk merr masa, por flet për prosperitet, duke na treguar se nuk ka asnjë lidhje me realitetin shqiptar”, u shpreh Shalsi, duke kujtuar se Bode ka qene ministër i Financave edhe në kohën e firmave piramidale.

“Nesër do të jeni dëshmitarë të protestës më të madhe paqësorë, sepse njerëzit do të jenë në shesh për të reaguar ndaj një qeverie që u ka vjedhur votat dhe që po i varfëron ekonomikisht dhe politikisht”, u shpreh Shalsi.

Deputeti socialist kërkoi nga kryeministri Sali Berisha që të dialogojë me opozitën që të mos e cojë vendin drejt një krize të mëtejshme.

Deputetja demokrate Lajla Përnaska ftoi opozitarët që të bëhen pjesë e arritjeve, pjesë e institucioneve dhe e progresit të Shqipërisë. Po ashtu Përnaska i ftoi opozitarët që të jenë pjesë e bashkëpunimit e dialogut dhe jo e protestave.

Ndërkohë Edi Paloka, deputet demokrat theksoi se në Shqipëri jo vetëm që nuk ka krizë, por është shënuar zhvillim dhe progres ekonomik dhe për këtë eshte marrë edhe vlerësimi i ndërkombëtarëve.

Socialisti Namik Dokle deklaroi se nesër opozita do të zbresë në shesh, bashkë më mijëra të papunë dhe të pabukë, me veteranë dhe pensionistë të nëpërkëmbur, fshatarë të varfër për të protestuar për krizën ekonomike që është futur vendi.

“Ne do të protestojmë për ngritjen e cmimeve, për vjedhjen e së drejtës së votës, të tokës, të detit për t’i thënë ndal pushtetit-shtet që ka mbyllur gjithcka e do të kërkojmë liri dhe transparencë”, u shpreh Dokle, duke shtuar se në protestë nuk do të ketë dhunë por rezistencë.

Ndërkohë zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi së Shqipëria po merr mesazhe vlerësuese nga ndërkombëtarët dhe këto qëndrime janë diametralisht të kundërta me pretendimet e opozitës.

“Në një kohë kur e gjithë bota është e tronditur nga një krizë globale dhe ekonomike, kur Shqipëria përmendet si një rast pozitiv e qëndrueshmeri ekonomike, kur Greqia është në krizë të jashtëzakonshme, tek ne opozita synon të ngjallë panik, duke tentuar të dëmtojë interesat e gjithë vendit dhe qytetarëve”, u shpreh Meta.

Numri dy i qeverisë iu drejtua opozitës që për kërkesën e saj për transparencë t’i drejtohet gjykatës dhe Komisionit të Venecias. Meta ftoi opozitën që të mbajë qëndrimin e saj dhe të tregojë standarde të larta në përputhje me ato të NATO-s dhe të një vendi që ka synim integrimin europian.

Socialistët qendruan në sallë vetëm për diskutimet e lira dhe më pas u larguan prej seancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA