Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaron se rruga më e mirë është që të gjitha grupet të angazhohen pozitivisht në jetën politike të vendit, përfshirë opozitën në marrjen pjesë të saj në jetën e parlamentit.
Kjo deklaratë e Rasmussen u bë gjatë një konferencë për media me kryeministrin Sali Berisha, me të cilin paraprakisht pati një takim me dyer të mbyllura.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha theksoi se opozita është e mirëpritur në parlament dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm për të vijuar reformat.
“Qeveria ka një rol të rëndësishëm në realizimin e reformave. Unë pranoj cdo kërkesë për transparencë të zgjedhjeve, të cilat janë vlerësuar si më të mirat nga ndërkombëtarët dhe për të cilat nuk ka asnjë fakt për manipulim. Por cdo kërkesë duhet të bëhet në rrjedhën e ligjeve dhe kushtetutës së vendit”, u shpreh Berisha.
I pyetur rreth telefonatës që kreu i NATO-s i bëri pak kohë më parë kryeministrit Berisha lidhur me ligjin për SHISH, Rasmussen konfirmoi këtë bashkëbisedim, por nuk pranoi të komentonte cështje të shërbimit sekret.
“Kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me rregullat e NATO-s”, u shpreh Rasmussen.
Top Channel