Rama: Protesta deri në transparencë të zgjedhjeve

29/04/2010 21:55

“Partia ka më pak se 100 mijë anëtarë dhe nesër do jenë më shumë se 100 mijë qytetarë”. Me këtë fjali e ka komentuar kreu socialist Edi Rama protestën e ditës së nesërme në Tiranë që sipas tij, do kërkojë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Arsyeja e kësaj proteste ka të bëjë me krizën e shumëanshme ku gjendet vendi dhe kjo e bën të rëndësishme protestën dhe jo sasia e qytetarëve që do marin pjesë. Protesta nuk do mbarojë dhe nuk do ndalet në kërkim të një të drejte që nuk e negociojmë për transparencën e zgjedhjeve të shkuara në mënyrë që të garantojmë zgjedhjet e ardhshme. Ajo që e mban qeverinë të lidhur pas interesave të qytetarëve është fakti se qytetarët kanë në dorë gjykimin e qeverisë me votë. Protesta është pa ndalim deri në realizimin e kërkesës sonë. Fakti është se ne nuk do ndalemi dhe tërhiqemi pa realizuar kërkesën tonë duke u dhënë mundësinë shqiptarëve të shikojnë si është realizuar procesi zgjedhor dhe të vihen përpara ligjit përgjegjësit për keqadministrimin e procesit zgjedhor”, theksoi Rama në “Top Story”.

Sipas shefit të opozitës, protesta e nësërme do të bëhet për të garantuar liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, të cilat nuk ekzistojnë. “Kemi një degradim të shtetit për shkak se pushteti nuk buron nga vota e lirë por nga fuqia për ta gjeneruar mandatin e vet duke vjedhur votën e qytetarëve dhe kriza e shumëanshme me një sistem drejtësie të gjunjëzuar dhe kriza ekonomike janë aspekte të lidhura me kutitë e mbyllura të 28 Qershorit. Ne fituam por nuk u zgjodhëm sepse Shqipëria u detyrua të pranonte një qeveri të atyre që nuk e lanë popullin të zgjedhë. Protesta jonë nuk është kundër policisë por kundër një pushteti që ka grabitur votat dhe që është ulur mbi kutitë dhe po rrënon demokracinë e vendit”, shton Rama.

Ai tha se nuk ka folur asnjëherë për qeveri të paligjshme pasi opozita e ka njohur parlamentin dhe qeverinë. “Kemi një ekonomi të rrënuar dita-ditës në xhepat e shqiptarëve, në arkën e cdo sipërmarrjeje dhe kemi një ekonomi të ekspozuar në mënyrë të gënjeshtërt dhe nuk ka asnjë cudi sepse është një histori e njohur edhe në vendet e tjera. Ajo që po i ndodh sot Shqipërisë është zhvillimi i një historie që ka nisur 4 vjet më parë. Nga shifrat e dhëna nga burime zyrtare të lidhura me njëra-tjetrën, rezulton se vitin e kaluar kemi pasur një rritje 0 %. Shifra e papunësisë është një nga gënjeshtrat më skandaloze të qeverisë. 71 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës vetëm në tre muajt e parë të këtij viti. Beteja jonë është një betejë për transparencë në kuptimin më të thjeshtë të fjalës”, vijoi kryesocialisti.

Ai denoncoi gjithashtu edhe angazhimin e qeverisë për të sjellë në mitingun e 1 Majit punonjës të administratës. “Qeveria kërkon që cdo njeri i punësuar në shtet të firmosë për të ardhur në 1 Maj në shëshin ‘Nënë Tereza’. Këta njerëz janë një masë shumë e madhe që paguhen për të bërë punën e shtetit dhe që nuk e dëshirojnë pjesëmarrjen në këto mitingje banale. Eshtë akoma më shqetësuese që asnjë media nuk e trajton këtë problem”, denoncoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA