Rama: Kutitë, e drejtë e pamohueshme

29/04/2010 22:25

Kryetari i PS Edi Rama ka deklaruar se protesta e nesërme e opozitës vjen si pasojë e grabitjes së votave të bëra nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Berisha.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Rama është shprehur se Kushtetuta i jep të drejtë opozitës të kërkojë hapjen e kutive.

“Kjo situatë është konseguencë e asaj që ndodhi më 28 qershor. Po të ishin numëruar votat si duhet ne nuk do të ishim sot këtu, duke kërkuar që qeveria të bëjë transparencën e zgjedhjeve. Kushtetuta e ka të garantuar transparencën me 28 frima nga deputetët e opozitës. Këtë nuk mund të na i mohojnë”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, Ruzhdia është një provë reale e manipulimit të zgjedhjeve, që sipas tij ka qenë një operacion “kriminal” i organizuar.

“Në Ruzhdie u pa qartë si drita e diellit dhe si Ruzhdia ka në të gjithë hartën e vendit. Ka një crregullim të planifikuar si një operacion kriminal”, ka theksuar Rama.

Ai ka nënvizuar se PS nuk e kërkon transparencën e zgjedhjeve për të marrë pushtetin, por për të ndëshkuar përgjegjësit e shkeljeve dhe për të shmangur që një gjë e tillë të përsëritet në të ardhmen.

“Nuk duam që nga kjo transparencë ne të ndryshojmë shpërndarjen e karrikeve në Parlament, por që ai që ka bërë shkelje të ndëshkohet. Hapja e kutive është fundi i një historie 20 vjecare, sepse kushdo që shkel ligjin duhet të dalë para si drita e diellit”, ka deklaruar Rama, duke shprehur gatishmërinë e PS për ta bërë bashkë me mazhorancën transparencën e zgjedhjeve.

“Të bëjmë bashkë transparencën për të garantuar që Shqipëria të dalë nga ato vende që vuajnë nga zhvillimi i keq i zgjedhjeve”, është shprehur Rama, duke shtuar se në rast të kundërt PS do të detyrohet të vazhdojë me protesta dhe të kërkojë largimin e kryeministrit Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA