Ndryshe nga një ditë më parë, sot policia e misionit EULEX ka zbardhur hetimet që po zhvillohen ndaj Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacioneve.

Në një njoftim për shtyp të misionit për rendin dhe ligjin thuhet se po hetohen disa tendera të rrugëve të miratuar në vitet 2007-2009.

Megjithatë, në njoftim nuk janë saktësuar se cilat rrugë po hetohen, duke lënë të kuptohet se nuk po hetohet vetëm ministria e Fatmir Limaj, por edhe drejtuesit e mëhershëm të këtij dikasteri.

Ndërkohë, pavarësisht bastisjes së madhe që iu bë selisë së Ministrisë së Transporteve, asnjë prej punonjësve nuk është marrë në pyetje, madje disa prej tyre janë rikthyer sot në vendet e punës.

Ndërkohë, një ditë pas bastisjeve kanë ardhur dhe reagimet e para nga ana e mazhorancës dhe opozitës kosovare.

“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Institucionet duhet të lihen të bëjnë punën e tyre të pavarura”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Ramë Manaj.

Ndërsa nga radhët e opozitës kanë ardhur akuza të rënda në drejtim të institucioneve të Kosovës.

“Ne presim shumë nga EULEX-i dhe kërkojmë që ai të na japë rezultate konkrete dhe jo spektakël përmes televizorit”, ka deklaruar Besa Gaxherri, nënkryetare e LDD-së.

Të njëjtin mesazh ka dhënë edhe Ibrahim Makolli, nënkryetar i AKR-së. “Veprime të tilla duhet të ndodhin në cdo dikaster, pasi ekziston një nivel i lartë korrupsioni në vend”, ka pohuar ai.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi ka pohuar se më në fund u vërtetuan ato që partia e tij ka denoncuar më parë.

“Pas shumë raporteve ndërkombëtare dhe vendore, të cilat ekzistonin, ky rast tregon se ka një nivel të lartë të korrupsionit në Kosovë. Përgjegjësia bie tek institucionet e vendit”, ka nënvizuar Isufi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA