Opozita: Protestë pa mbarim

29/04/2010 15:05

Një ditë përpara protestës së paralajmëruar të opozitës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama takoi aleatët e vet.(UPDATE)

Si rëndom në takime të tilla, kryetari Rama informoi dhe diskutoi me aleatët detaje të protestës. Gjatë muajit prill ai ka udhëhequr protesta dhe takime më të vogla të tjera, që e kanë bindur arsyet vetjake të pakënaqësisë që mund të kenë qytetarët, do t’i nxjerrin ata të premten në Tiranë.

“Qindra mijëra arsye individuale të njerëzve, pavarësisht përkatësive, do të mbledhi nesër shqiptarët në sheshin “Skenderbej” për një protestë që nuk do të ndalet, për një protestë që do të kërkojë thjesht dhe vetëm rikthimin në duart e popullit të një të drejte që nuk mund të negociohet, nuk mund të shitet, nuk mund të falet, e drejta për të votuar lirisht dhe për ta parë votën të numëruar ndershmërisht”, u shpreh Rama.

Por cdo të thotë një protestë që nuk ndalet? Aleati i Ramës në këtë protestë, Spartak Ngjela u shpreh se protesta është permanente, pambarim.

“Si gjithë protestat e tjera në kryeqytetet që i dini ju lindore, për të venosur demokracinë në Shqipëri, është përplasje e madhe për demokraci midis popullit dhe një rregjimi jo demokratik”, theksoi Ngjela.

Kurse Veliaj u shpreh se në këtë protestë do të jenë më shumë qytetarë, të cilët do të kenë edhe mbështetjen e gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Protesta e 20 nëntorit vijoi për tre ditë. Asokohe dolën shpejt në pah problemet praktike të ushqimit dhe kampimit të njerëzve në bulevard. Pa folur që këtë herë bllokimit të bulevardit i shtohet edhe lëvizja e kufizuar e automjeteve në sheshin ‘Skënderbej’. Por aleatët e majtë thonë se janë të motivuar, e po ashtu, sipas tyre, edhe njerëzit që do ta zgjasin protestën pambarim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA